Braçe: Brenda PS-së po zhvillohet një luftë kundër meje, duan të më nxjerrin nga politika
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka bërë deklarata të forta lidhur me situatën brenda forcës politike ku bën pjesë, duke lënë të kuptohet se përballet me kundërshtime të vazhdueshme nga brenda partisë.
I ftuar në një intervistë për Euronews, Braçe u shpreh se brenda PS-së ekziston një përplasje e brendshme dhe se, sipas tij, ka individë që synojnë ta largojnë nga jeta politike. Ai deklaroi se ka pasur përpjekje për ta izoluar dhe eliminuar politikisht, por theksoi se nuk ka ndërmend të tërhiqet.
Duke iu referuar një përplasjeje të fundit që u raportua në media, me kryeministrin Rama, Braçe tha se bisedat janë nxjerrë qëllimisht nga konteksti.
“I nxjerrin mesazhet sepse kanë qëllim të më poshtërojnë, tamam për të më poshtëruar. Për mua është shumë e rëndë. Edhe ajo që ka dalë nga mbledhja e grupit, pavarësisht se është transformuar dhe hedhur në atë formë në publik, nuk është e vërtetë ashtu siç është thënë. Dikush që e nxjerr këtë kërkon të të largojë nga fusha e brendshme e Grupit Parlamentar, një njeri që e sheh aty prej vitesh, që e konsideron konkurrent dhe e ka problem. Unë s’kam problem me qenien e atij. Unë i konsideroj ata kolegë,” u shpreh Braçe.
I pyetur nëse personi në fjalë mund të jetë Edi Rama, Braçe u përgjigj negativisht.
“Kishte ndodhur gati 46 ditë më parë, kur u goditën gra deputete me vezë. Edhe kam shkruar në grup që të thirrej policia. Edhe shkrova për gratë. Edhe atë mesazh e nxorën në media. Natyrisht, me interpretimet e duhura se policinë e kërkoi ky. Nuk është vetëm ndaj meje kjo sjellje. E kanë pësuar edhe të tjerë si unë dhe guxojnë ta bëjnë. Edhe këto interpretohen si përpjekje për eliminim. Ja, kjo më bën të them se ka luftë të brendshme në PS,” shtoi ai.
Deputeti socialist tha se do të vazhdojë të shprehë hapur qëndrimet e tij, edhe kur ato bien ndesh me vendimmarrjen e drejtuesve të partisë. Sipas Braçes, debatet dhe kritikat e brendshme janë të domosdoshme për funksionimin e një force politike dhe nuk duhet të shihen si përçarje.
Ai ka qenë edhe më herët kritik ndaj mënyrës se si funksionon demokracia e brendshme në Partinë Socialiste, duke kërkuar më shumë debat dhe përfshirje në proceset vendimmarrëse, ndërsa ka mohuar në mënyrë të përsëritur zërat për një largim nga PS apo për një angazhim si deputet i pavarur.
