Hetimet për Ballukun zgjaten, kontrolle shtëpish e offices

Zgjatja me 3 muaj e hetimeve për dosjen Balluku; SPAK dhe BKH ushtrojnë kontrolle në banesa dhe zyra

TIRANË – Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ndërmarrë veprime të reja hetimore në dosjen kundër ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke firmosur urdhra kontrolli për mbledhjen e provave.

Mësohet se prej mbrëmjes së djeshme, Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë ushtruar kontrolle në banesa, zyra dhe ambiente të tjera në Tiranë dhe Vlorë, në zbatim të vendimeve të miratuara nga gjyqtari i hetimeve paraprake.

Burimet bëjnë me dije se kontrollet lidhen me dyshime të reja të ngritura gjatë hetimit, me qëllim sigurimin e provave shtesë që mund të ndihmojnë në zbardhjen e çështjes.

Veprimet e fundit të SPAK vijnë pasi Prokuroria vendosi të zgjasë edhe me tre muaj afatin e hetimeve ndaj Ballukut. Ish-zëvendëskryeministrja është thirrur të paraqitet më 31 korrik në SPAK për t’u njohur me vendimin, por mësohet se ka kërkuar shtyrjen e paraqitjes, duke argumentuar se ka angazhime të tjera.

Belinda Balluku është nën hetim për veprat penale të dyshuara të korrupsionit, pastrimit të parave dhe shkeljes së barazisë në procedurat e tenderimit.

Hetimet vijojnë, ndërsa pritet që kontrollet e kryera nga BKH të sjellin prova dhe elementë të rinj në dosjen që po hetohet nga Prokuroria e Posaçme.

Scroll to Top