Burgjet mbipopullohen nga rastet e drogës

### Investigimi: Droga, fenomeni që po mbush burgjet

Rreth 30% e të dënuarve dhe paraburgosurve në vend janë të izoluar për kultivim, trafikim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike, disa prej të cilëve edhe në kuadër të organizatave kriminale. Sociologët theksojnë se ky fenomen po prek edhe moshat e reja, me moshën e përdoruesve që arrin deri në 12 vjeç.

Ndërsa debatet politike fokusohen te masat e sigurisë për zyrtarë, zgjatja e paraburgimeve dhe zvarritja e gjyqeve, raportet zyrtare zbulojnë një realitet shqetësues, që ka implikime si në fushën kriminale, ashtu edhe në atë sociale dhe shëndetësore.

**Të burgosurit për drogë: Një numër në rritje**

Të dhënat e fundit nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve tregojnë se në muajin shkurt, nga 2003 të dënuar gjithsej, 529 ishin për vepra penale të lidhura me drogën. Situata është e ngjashme edhe për të paraburgosurit, ku nga 2424 persona, 703 janë akuzuar për drogë. Kjo vepër penale përbën numrin më të lartë të personave të proceduar me masë më të rëndë sigurie.

“Aktiviteti i prodhimit, trafikimit dhe përdorimit të drogës është jo vetëm ilegal, por edhe shumë fitimprurës,” shprehet sociologu Prof. Gëzim Tushi. “Është një industri kriminale dhe një aktivitet social degradues. Duket se ana financiare, si veprimtari fitimprurëse dhe oferta kriminale, lidhet me kërkesën e tregut social për narkotikë.”

**Trendi në rritje: Nga 2013 deri më tani**

Analiza e të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve tregon një rritje të veprave penale që lidhen me kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike nga viti 2013 e në vazhdim. Nga një mesatare prej rreth 550 të dënuarve nga 2014 deri në 2017, numri thuajse dyfishohet gjatë viteve 2018-2019, me 987 persona të dënuar në vitin 2018 dhe 933 në vitin 2019.

Sociologjia Entela Binjaku sqaron se “Kanabizimi i vendit” për një pjesë të opinionit publik ka qenë një mit, ndërsa për të tjerë është realitet me jetë të shkatërruara. Kur mosha e minorenëve përdorues të narkotikëve apo të përfshirë në konflikt me ligjin si shpërndarës bie deri në 12 vjeç, kjo mund të lidhet me lehtësinë e sigurimit, shpeshtësinë e qarkullimit dhe shtrirjen gjeografike në zonat urbane dhe rurale të vendit.

Fenomeni i kanabizimit, siç pranohet nga raportet policore dhe ato ndërkombëtare, ka qenë mjaft i lartë në vitet 2015-2017. Megjithëse janë asgjësuar miliona bimë kanabisi dhe janë kapur tonelata drogë, ky trend ka njohur një ulje. Megjithatë, viti 2024 paraqet një pamje paradoksale: për këtë vit rezultojnë 413 të dënuar, ndërsa në paraburgim shifra arrin mbi dyfishin, me 1022 persona të akuzuar për “kultivim, trafikim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike”.

**Problemi social: Mosha e re në rrezik**

Sociologët e konsiderojnë trafikimin dhe konsumimin e lëndëve narkotike jo vetëm si pasojë e ndëshkimit penal, por edhe si një fenomen shoqëror që ka prekur shumë familje në vend.

“Shumë alarmante është fakti që ka një tendencë të frikshme të uljes së moshës së fillimit të përdorimit të drogërave dhe zgjerim të numrit të fëmijëve dhe adoleshentëve të përfshirë në këtë sferë të ‘kriminalitetit minor’,” thekson Prof. Gëzim Tushi. “Problemi tashmë është përkeqësuar në përmasa sociale dhe nuk mund të konsiderohet më si periferik.”

Pjesa më e madhe e personave të proceduar për “drogë” janë në referim të nenit 183 të Kodit Penal, i cili parashikon dënime nga pesë deri në dhjetë vjet burgim për shitjen, shpërndarjen, transportimin apo mbajtjen e narkotikëve, përveç rastit të përdorimit personal në doza të vogla. Masat prej 7-15 vjet aplikohen në rastet e grupeve kriminale të trafikut ose për përsëritje të veprës.

**Neni “i harruar”: Mbrojtja e të miturve kundër nxitjes për drogë**

Ndërkohë që numri i të miturve përdorues rritet, penalizimi i personave që nxisin të mitur dhe adoleshentë të konsumojnë narkotikë është i ulët. Sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë, neni 286 i Kodit Penal, i cili parashikon dënime nga pesë deri në dhjetë vjet burgim për nxitjen e përdorimit të drogës, dhe jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet kur nxitja bëhet ndaj fëmijëve ose në institucione edukative, aplikohet shumë pak.

Pavarsisht se shpërndarësit dhe trafikantët synojnë kryesisht nxënësit e shkollave si “kontigjent” tregtimi, ndëshkimi i tyre sipas nenit 286 mbetet i ulët. “Studimet tregojnë se hapi i parë që i nxit fëmijët dhe të rinjtë për të përdorur drogën është kurioziteti dhe efektet e propagandës kriminale për të rritur rrjetin e njerëzve me vartësi toksike,” përfundon Tushi.

Scroll to Top