“`html
Pacolli: “Kam frikë se Rama nuk është informuar drejt për Aeroportin e Vlorës”
Presidenti i MABCO-s, Behgjet Pacolli, ka shprehur shqetësime lidhur me mungesën e informacionit të saktë në nivelet më të larta të qeverisë për situatën e krijuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës.
Në një intervistë për emisionin “Opinion” me Blendi Fevziu, biznesmeni ka lënë të kuptohet se bllokimi i projektit mund të jetë pasojë e një keqinformimi të kryeministrit Rama rreth zhvillimeve në terren.
Pacolli ka deklaruar se nuk ka pasur komunikim të drejtpërdrejtë me kryeministrin që nga gushti i vitit të kaluar, periudhë kur ai ka tentuar të shpjegojë problematikën.
“Shpresoj shumë që kryeministri informohet. Unë nuk kam asnjë tagër t’i shkruaj. Në takimin e gushtit ia kam thënë ku qëndron problemi,” u shpreh ai.
Sipas tij, shqetësimi kryesor lidhet me mundësinë që vendimmarrja të jetë e ndikuar nga informacione jo të plota ose të pasakta.
“Frigohem se Rama nuk është i informuar drejt. Nuk e di situatën ku qëndron, besoj se ka shumë punë,” deklaroi Pacolli.
Megjithatë, ai shmangu një kritikë direkte ndaj kryeministrit, duke theksuar se përgjegjësia mund të jetë më shumë te hallkat ndërmjetëse të administratës.
“Nuk kam pretendime për z. Rama për arsye se ai është kryeministri ynë dhe ka detyra të tjera, por shpresoj që njerëzit rreth tij ta kenë informuar drejt,” tha Pacolli, duke shtuar: “por kam frikë se nuk është informuar drejt.”
Biznesmeni ka ngritur shqetësimin në studion e “Opinion” se Rama duhet të jetë në dijeni se njerëzit e MABCO janë larguar me dhunë nga aeroporti.
“Kam frikë se kryeministri nuk e di që unë prej tetorit nuk mundem me punu. A e di kryeministri që njerëzit e mi, që unë i paguaj, ndalen dhe nuk punojnë?” pyeti Pacolli.
MABCO ka denoncuar atë që e konsideron “shpronësim de facto” nga Aeroporti i Vlorës, si pasojë e disa vendimeve të ndërmjetme të gjykatave që kanë krijuar një situatë të tensionuar në terren. Deri më tani, MABCO ka investuar gati 90 milion euro, por është përjashtuar nga aktiviteti në kantier dhe nga vendimmarrja në shoqërinë koncesionare, ndërkohë që mban peshën kryesore financiare të projektit.
Pacolli paralajmëroi gjithashtu se kompania që ai drejton ka kapacitete të brendshme për të verifikuar dhe hetuar zhvillimet kontraktore, në rast se situata nuk zgjidhet.
“Nuk dua të spekulloj, por sinqerisht ju them që një kompani globale me 16 mijë njerëz kemi edhe një shërbim investigativ… ata investigojnë kontrata në gjithë botën,” deklaroi ai.
Deklaratat e Pacollit në “Opinion”, ku ai akuzoi gjykatat, policinë, mediat dhe administratën për ndërhyrjet në aeroport, përforcojnë tezën se ngërçi nuk është vetëm një konflikt mes aksionerësh, por një situatë ku kompania zvicerian ka përballë segmente të korruptuara të pushtetit.
“`
