Buxheti 2025: Qeveria rrit me 60% financimet buxhetore për “Diellën”
Shërbimet digjitale të qeverisë, të përfaqësuara nga zëri buxhetor “e-qeverisja”, po shënojnë një rritje të shpejtë krahasuar me funksionet e tjera. Në ndryshimet e fundit buxhetore, fondet për e-qeverisjen arritën në mbi 20.1 miliardë lekë, më shumë se 200 milionë euro. Shpenzimet për këtë kategori u rritën me 15% në krahasim me ndryshimet e qershorit, ndërsa në raport me buxhetin fillestar, fondet për e-qeverisjen u shtuan me 60%.
Ky trend pasqyron zgjerimin e shërbimeve publike online dhe adoptimin në rritje të teknologjive digjitale nga qytetarët dhe bizneset, si pjesë e procesit të digjitalizimit të administratës publike. Rritja lidhet gjithashtu me shtimin e shërbimeve të reja në portalin qeveritar, si dhe me përmirësimin e aksesit dhe efikasitetit të platformës.
Qeveria shqiptare ka hyrë në histori pasi për herë të parë emëroi ministre një chatbot të inteligjencës artificiale të quajtur “Diella”. Edhe pse “Diella” bën pjesë në strukturën e qeverisë, ajo nuk ka fusha të përcaktuara përgjegjësie. Megjithatë, zëri i shpenzimeve për e-qeverisjen, i cili në thelb lidhet me “Diellën”, po rritet me shpejtësi.
Shqipëria ka kaluar edhe shtetet e Europës në aspektin e digjitalizimit të shërbimeve publike. Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë, e cila nuk disponon njohuri digjitale, paguan shërbime të treta për t’u ndihmuar në këto procese. Zyrat, ato noteriale dhe të tjera këshillimore po përfitojnë nga ofrimi i shërbimeve të e-Albania për shtresën e moshuar. Ndërsa Shqipëria ka përparuar në investimet për shërbime digjitale, njohuritë digjitale të popullsisë mbeten ndër më të ulëtat në Europë.
Në vitin 2018, financimet për e-qeverisjen ishin 2.3 miliardë lekë. Gjatë 7 viteve të fundit, financimi i shërbimeve publike digjitale është shtuar më shumë se 8 herë. Infrastruktura digjitale po bëhet po aq e rëndësishme dhe jetike sa infrastruktura fizike – rrugët, uji dhe energjia.
Tani, kur shumica e shërbimeve qeveritare ofrohen online dhe mund të aksesohën nga telefonat inteligjentë, qeveria po rrit shpenzimet për këto shërbime. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se nga viti 2016 deri në vitin 2024 janë financuar më shumë se 42 miliardë lekë, rreth 400 milionë euro për sistemet e e-Albania. Vetëm këtë vit do të financohen edhe 200 milionë euro të tjera.
Financimet vjetore për infrastrukturën e e-Albania renditen të katërtat në radhë, pas investimeve publike në transportin rrugor, detar dhe në rrjetin e ujësjellësit. Megjithatë, me ofrimin e një mori shërbimesh online, qytetarët mbeten të ekspozuar ndaj korrupsionit dhe mungesës së marrjes së shërbimit. Mungesa e ndërveprimit mes institucioneve e vështirëson marrjen e dokumenteve në kohë, madje shërbimet mund të mbeten të pezulluara për muaj të tërë. Nga ana tjetër, publiku i gjerë ka ende njohuri të kufizuara për përdorimin e këtyre shërbimeve, ndërsa transparenca mbetet problematike, pasi produktet e infrastrukturës digjitale janë më pak të prekshme.
