Deputeti i PD debaton me kolegun e Lëvizjes Bashkë për protestën.
Strazimiri: Ti komunistuc i vogël, qorra apo çfarë jeni ju!
Muçi: Dilni dhe jepuni llogari!
Publikuar më 04.06.2026 nga shekulli_admin
Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, ka ironizuar nga Kuvendi kryeministrin Edi Rama dhe kryedemokratin Sali Berisha lidhur me protestën që prej ditësh vijon kundër ndërtimeve në zonën e Zvërnecit në Vlorë. Ai theksoi se ka një të vërtetë të madhe në thirrjet e protestuesve për të dërguar Ramën dhe Berishën në burg.
Ai ironizoi kur tha se qeveria, të cilën e cilësoi si “Sulltanat”, i fryn zjarrit duke pretenduar se protesta është nxitur nga faktorë të jashtëm, ndërsa Partia Demokratike, të cilën e quajti “kryegjyshata”, hesht.
Redi Muçi dhe Gent Strazimiri
“Rendi i ditës e kanë vendosur ata të rinj që kanë mbushur sheshet prej 4 ditësh. Rendi i ditës së sotme është kërkesa për dorëheqjen e një qeverie të krimbur nga krimi e të kalbur nga korrupsioni, kërkesa për shfuqizimin e ligjeve grabitqare për investitorët strategjikë, paketën e maleve dhe ndryshimet që i keni bërë ligjit për zonat e mbrojtura. Mos e vazhdoni më këtë teatër patetik. Nga njëra anë sulltanati që i lëshoi disa nga jeniçerët nëpër media për t’i fryrë zjarrit të komplotit kundër Perandorisë, nga ana tjetër kryegjyshata që ka lënë në gjumë të thellë letargjik, të paqtë dimëror siç i ka hije moshës së tretë. Shqipëria po e lë pas të shkuarën. Në atë foltore duhet të ishte Rama dhe të jepte llogari për kërkesat e protestuesve. Ndaj të nderuar kolegë ju bëj thirrje që të kërkoni thellë brenda jush se ndoshta zbuloni indinjatën e fjetur dhe sot të flisni për kërkesat e protestuesve. Ka një të vërtetë gjigante në thirjet e protestuesve: ‘Rama në burg, Berisha në burg’. Kjo e vërtetë do t’ju çlirojë edhe ju nga diktati i Sulltanatit dhe Kryegjyshatës,” tha ai.
Gent Strazimiri: “Tani dy fjalë për të gjithë dashnorët e flamengove dhe pelikanit kaçurrel. Ti, Lenini… nuk mund të të dhimbset pelikani kaçurrel dhe flamengo ditën kur këta kanë nxjerrë fonde me terapi për të ndryshuar seksin e fëmijëve tanë. Me taksat tona, që të dhimbsen aq shumë. Atë sheshin që e ke plot aty, 60-70% e ke demokratë. ‘Rama dhe Berisha njësoj në burg’ ke nxjerrë dje një pankartë dhe disa qindra prej atyre i ke sjellë të PD-së. Marksista-leninista të vegjël… Marsi ka një faturë të papaguar… Ti, komunistuc i vogël, jashtë kohe… qorra apo çfarë jeni ju që vazhdoni të thoni Marksi dhe Lenini? Mirë është po ta paguash ti, të vijnë ta paguajnë këta. Nëse do ta hapësh këtë lojë, ne e hapim, por ty nuk të leverdis. Gjëja e vetme që ke bërë duke çuar njerëzit atje është se treçerekun e sheshit i ke larguar, se nuk është protestë politike, por qytetare. Me kujdes herë tjetër, edhe me batuta, edhe me të gjitha, fol se të përgjigjem prapë unë.”
Redi Muçi: “Meqenëse këtu ndodh shpesh që nga të dyja krahët të më referohen mua dhe Lëvizjes Bashkë si marksistë dhe leninistë, dua t’u them që ata të rinj që protestojnë në atë shesh nuk e njohin Marksin. Ata që kur kanë hapur sytë kanë parë Sali Berishën, që kur kanë nisur të ecin kanë njohur Edi Ramën. Ata të rinj dhe të reja protestojnë kundër jush, kundër dëmit që i keni bërë këtij vendi, kundër shkatërrimit. Dilni dhe jepuni llogari. Mund të vazhdoni pafundësisht me batuta të dala boje. Ju duhet të mbani përgjegjësi për çfarë keni bërë 35 vjet dhe keni fytyrë e na drejtoheni ne.”
