Dëmet pezull të Fondit të Kompensimit pësuan përsëri rënie në 2025
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) vlerëson se shlyerja e dëmeve nga Byroja Shqiptare e Sigurimit u përmirësua sërish vitin e kaluar. Sipas AMF-së, dëmet pezull, të cilat janë objekt i fondit të kompensimit, u tkurrën me 8.7% dhe arritën vlerën e 628 milionë lekëve.
Një pjesë e konsiderueshme e dëmeve pezull vazhdojnë të jenë ato në proces gjyqësor, që i përkasin ngjarjeve të ndodhura para hyrjes në fuqi të ligjit nr. 32/2021. Këto dëme rezultojnë në vlerën rreth 434 milionë lekë, ose rreth 69.2% e totalit të dëmeve pezull.
Fondi i Kompensimit i Byrosë Shqiptare të Sigurimeve ka për detyrë ligjore të kryejë pagesën e dëmeve të shkaktuara nga mjete të pasiguruara dhe të paidentifikuara. Më pas, Fondi ka të drejtë të ngrejë padi regresi ndaj shkaktarit të dëmit në gjykatë dhe të rimarrë shumën e paguar.
Sipas statistikave të AMF-së, pagesat e kryera nga Fondi i Kompensimit gjatë vitit financiar 2025, rezultojnë rreth 245 milionë lekë, ose rreth 98% e vlerës së fondit të miratuar nga Bordi i Autoritetit për vitin e kaluar.
AMF-ja bën të ditur se gjatë vitit 2025, 70% e rasteve të aksidenteve të shkaktuara nga mjete të pasiguruara apo të paidentifikuara, janë trajtuar dhe paguar me procedura të përshpejtuara, drejtpërdrejt nga shoqëritë e sigurimit.
Funksionimi i Fondit kishte qenë problematik për pothuajse 15 vjet, duke grumbulluar miliarda lekë detyrime. Vetëm pas vitit 2017, presioni i Komisionit Kuvendor të Ekonomisë dhe i AMF-së detyroi Fondin dhe kompanitë e sigurimeve të kryenin pagesat e prapambetura.
Megjithëse dëmet pezull të Fondit të Kompensimit pësuan rënie, dëmet pezull si detyrime direkte të kompanive të sigurimit të jo-jetës, u rritën sërish lehtë vitin e kaluar. Në fund të vitit 2025, kompanitë e sigurimit të jo-jetës raportuan afërsisht 7.2 miliardë lekë dëme pezull, 3.3% më shumë krahasuar me një vit më parë. Në numër, kompanitë raportuan 11,882 dëme pezull, në rënie me 2.4% krahasuar me fundin e vitit 2024.
Dëmet pezull përfshijnë rastet në proces vlerësimi, dëmet e miratuara por të papaguara, apo edhe dëmet që janë objekt i çështjeve gjyqësore. Normalisht, kompanitë e sigurimit kanë gjithmonë një numër të caktuar dëmesh pezull për shkak të kohës së nevojshme për trajtimin e tyre, apo edhe për zhvendosjen e çështjeve në gjykata, në rastet kur klienti nuk është dakord me masën e dëmit të vlerësuar nga kompania e sigurimit.
