Dënohet fermeri për dëme mjedisore; lumit 30 vite për t’u rimëkëmbur

“Lumit do t’i duhen 30 vjet që të rimëkëmbet” / Fermeri shkul 71 pemë për t’u hapur rrugë kuajve të tij, dënohet me gjobë të majme

Një fermer 68-vjeçar në Mbretërinë e Bashkuar është dënuar me burg dhe një gjobë prej 600 mijë paundësh, pasi shkaktoi dëme të konsiderueshme në një lumë të mbrojtur. Autoritetet britanike e kanë cilësuar këtë rast si një nga shkeljet më të rënda mjedisore të viteve të fundit.

John Price ndërhyri në shtratin e lumit Lugg, në Herefordshire, gjatë vitit 2023, me qëllim ndërtimin e një rruge private dhe krijimin e më shumë hapësirës për kuajt e tij. Për realizimin e punimeve ai përdori makineri të rënda, duke nxjerrë sasi të mëdha zhavorri nga fundi i lumit dhe duke prerë 71 pemë përgjatë brigjeve.

Sipas autoriteteve, këto ndërhyrje ndryshuan rrjedhën natyrore të ujit dhe morfologjinë e shtratit të lumit, duke lënë brigjet të pambrojtura ndaj erozionit. Ekspertët theksojnë se pemët luajnë një rol thelbësor në ruajtjen e ekosistemit, pasi rrënjët e tyre stabilizojnë tokën, ndërsa hijet që krijojnë ndihmojnë në ruajtjen e temperaturës së ujit.

Shkatërrimi i kësaj bimësie solli pasoja të rënda për habitatin natyror, duke rrezikuar mbijetesën e peshqve, insekteve dhe organizmave të tjerë që jetonin në lumin Lugg.

Gjykata britanike vlerësoi se veprimet e fermerit nuk përbënin një punim të zakonshëm në pronën e tij, por një krim të rëndë ndaj një habitati të mbrojtur. Për këtë arsye, Price u dënua me burgim dhe u urdhërua të paguante një gjobë prej 600 mijë paundësh, ose rreth 700 mijë euro.

Megjithatë, sipas autoriteteve, ndëshkimi financiar nuk mjafton për të riparuar dëmin e shkaktuar. Ekspertët vlerësojnë se lumit Lugg do t’i nevojiten të paktën 30 vjet restaurim dhe monitorim i vazhdueshëm për t’u rikthyer në gjendjen e tij natyrore. Ky rast konsiderohet një precedent i fortë në luftën kundër krimeve mjedisore në Mbretërinë e Bashkuar.

Scroll to Top