Futbollisti që iu bashkua Brazilit nga dasma, peripeci pa fund për mesfushorin që mori ftesën surprizë nga Ançeloti
Mesfushori brazilian Ederson mori dje një ftesë të papritur për t’iu bashkuar ekipit të Brazilit në Botërorin 2026. Ftesa nuk erdhi si zakonisht, pasi ai fillimisht ishte lënë jashtë listës nga Ançeloti. Sidoqoftë, planet ndryshuan plotësisht për shkak të dëmtimit të Uesleit, duke sjellë një seri ngjarjesh të jashtëzakonshme.
Në momentin e marrjes së lajmit, Ederson nuk ndodhej në Rio, por në Kampo Grande, kryeqytetin e Mato Groso do Sul. Ai ishte i pranishëm në mes të festimeve të dasmës së mikut të tij, mesfushorit Romulo Zvarg. Pikërisht aty, mes ceremonisë, ai mori telefonatën me lajmin e grumbullimit për Botëror.
Problemi kryesor ishte mungesa e pasaportës së tij, të cilën e kishte lënë në Rio De Zhaneiro, ku planifikonte të vazhdonte pushimet. Për pasojë, miqtë e tij në Rio u mobilizuan për të marrë pasaportën dhe për t’ia sjellë në San Paolo, pikëmbërritjen nga ku do bëhej nisja drejt SHBA-së. Ndërkohë, bashkëshortja e tij improvizoi një çantë me rrobat e nevojshme për udhëtimin në SHBA, përpara se avioni të nisej nga Kampo Grande drejt San Paolos.
Një aventurë e vërtetë, por me një fund të lumtur për futbollistin brazilian, i cili kështu po kurorëzon ëndrrën e tij.
