GJKKO: Kryebashkiakja e Roskovecit mund të gjykohet në mungesë

GJKKO ‘ultimatum’ kryebashkiakes së Roskovecit: Do të gjykohesh në mungesë

Gjykata e Posaçme ka shtyrë për datën 7 maj seancën gjyqësore ndaj kryebashkiakes së Roskovecit, Majlinda Bufi. Vendimi i gjykatës është që, nëse ajo ose avokatët e saj mungojnë, gjyqi do të vijojë në mungesë.

Ky “ultimatum” u dha për shkak të mungesës së përsëritur në gjyq të avokatëve dhe të vetë të pandehurës. Pas caktimit të një gjobe prej 10 mijë lekësh për dy avokatët, gjyqtarja Irena Gjoka deklaroi se e pandehura Bufi do të njoftohet zyrtarisht. Ajo u informua se nëse në seancën e radhës nuk paraqitet as ajo, as avokatët e saj, gjykimi do të zhvillohet në mungesë.

Procesi ndaj zyrtare vendore, e akuzuar për “përdorim të funksioneve publike për veprimtari zgjedhore”, ndodhet aktualisht në fazën e konkluzioneve të mbrojtjes. Më herët, SPAK ka kërkuar deklarimin e saj fajtor dhe një dënim me 1 vit e 6 muaj burg, i cili u ul në 1 vit për shkak të gjykimit të shkurtuar. Në fund, SPAK kërkoi pezullimin e dënimit me burg dhe lënien e Bufit në shërbim prove për 2 vjet.

Më 14 nëntor 2025, kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi, u mor e pandehur nga SPAK. Ajo akuzohet për veprën penale “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike”, parashikuar nga neni 328/a/3.

Gjatë viteve të fundit, ndaj Bufit janë depozituar tre kallëzime në SPAK dhe të paktën dy herë ajo është paraqitur për të dhënë deklarime. Sipas kallëzimeve, kryebashkiakja akuzohet se gjatë fushatës për zgjedhjet lokale ka shkelur qëllimisht dhe vetë rëndë të drejtat e punonjësve të administratës publike, duke përdorur kërcënime, presione dhe shantazhe, me qëllim për t’i penguar ata të ushtrojnë lirshëm të drejtën e votës. Gjithashtu, Partia Demokratike Roskovec ka depozituar një kallëzim tjetër penal në SPAK ndaj saj, duke e akuzuar për keqpërdorim të tenderave.

Scroll to Top