“Trajtohen si kafshë të egra” / KShH reagon për rastet e Ilir Beqajt dhe Ilir Metës
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), organizata më e vjetër e të drejtave të njeriut në Shqipëri, ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj mbajtjes së ish-Presidentit Ilir Meta dhe ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në kafaz gjatë proceseve gjyqësore.
“Mbajtja e të pandehurve në kafaz në sallën e gjyqit bie në kundërshtim me ligjin dhe standardet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut,” thuhet në një deklaratë për shtyp të KShH.
Organizata thekson se Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka nënvizuar se nuk ka asnjë justifikim për të trajtuar një person si “kafshë të egër”, duke shtuar se arsyeja e sigurisë mund të adresohet me masa më pak kufizuese, siç është rritja e pranisë policore.
Meta dhe Beqaj po gjykohen për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO).
KShH është vënë në lëvizje pas një kërkese nga avokati i ish-ministrit Ilir Beqaj, i cili ka ngritur shqetësimin se klienti i tij është vendosur në një kafaz sigurie gjatë seancave gjyqësore, fillimisht metalik dhe më vonë prej xhami. Ky veprim, sipas avokatit, kufizon të pandehurin nga mbrojtja efektive.
Ky shqetësim është parashtruar edhe në seancë, por Gjykata e ka hedhur poshtë me vendim, duke argumentuar se vendosja në kafaz nuk është në kompetencën e saj, por të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
KShH informon se një kërkesë e ngjashme i është drejtuar GJKKO-së edhe nga avokati i ish-presidentit Ilir Meta, duke argumentuar cenim të të drejtave kushtetuese dhe standardeve ndërkombëtare për një proces të rregullt.
Përputh me kërkesat e mbrojtjes së të dy të pandehurve, Komiteti i Helsinkit vlerëson se kjo praktikë e Gjykatës përbën një shkelje të rëndë të legjislacionit të brendshëm dhe të standardeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
KShH thekson se, sipas Kodit të Procedurës Penale, drejtimi i seancës gjyqësore dhe ruajtja e rendit në sallë janë kompetencë ekskluzive e gjykatës, jo e Drejtorisë së Burgjeve. Ajo shton se kufizimet ndaj të pandehurit lejohen vetëm në rast se ai pengon zhvillimin e seancës.
Sipas KShH, kjo praktikë bie në kundërshtim edhe me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Në çështjen “Svinarenko dhe Slyadnev kundër Rusisë”, është konstatuar se mbajtja e të pandehurve në kafaz gjatë gjykimit përbën trajtim poshtërues, cenon prezumimin e pafajësisë dhe pengon komunikimin efektiv me mbrojtjen.
KShH vlerëson se vendosja automatike e dy të pandehurve në kafaz në sallën e gjyqit nuk ka bazë ligjore, bie ndesh me standardet e garantuara në legjislacionin vendas dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe rrezikon drejtësinë e procesit.
“Zbatimi korrekt i parashikimeve të Kodit të Procedurës Penale dhe respektimi i standardeve të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, të elaboruara në jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (Strasburgut), nuk janë çështje interpretimi, por detyrim për autoritetet vendase, përfshi gjykatat,” përfundoi KShH.
