Industria e Mbrojtjes: Lehtësime & Fincantieri në Pashaliman

Qeveria lehtëson industrinë e mbrojtjes dhe i hap rrugë Fincantieri-t në Pashaliman

Qeveria ka miratuar një paketë masash për fushën e mbrojtjes, e cila përfshin ndryshime në trajtimin e TVSH-së për kompanitë e industrisë ushtarake, vënien e kantierit të vjetër të Pashalimanit në dispozicion të kompanisë italiane Fincantieri, si dhe angazhime të reja të Forcave të Armatosura në misione jashtë vendit.

Pas mbledhjes së qeverisë, Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nafi, sqaroi se ndryshimet në ligjin për TVSH-në synojnë të thjeshtësojnë procedurat për kompanitë dhe ndërmarrjet me të cilat janë lidhur marrëveshje në sektorin e mbrojtjes. “Ky ndryshim do të mundësojë vijimin e procedurave dhe angazhimin konkret të tyre për sjelljen e teknologjisë më moderne në Shqipëri,” tha ministri. Ai shtoi se lehtësimi ka për qëllim mbështetjen e ngritjes dhe zhvillimit të fabrikave dhe kompanive për prodhimin e pajisjeve ushtarake.

Një tjetër vendim i rëndësishëm lidhet me vënien e kantierit të vjetër të Pashalimanit në dispozicion të kompanisë italiane Fincantieri. “Ky akt i hap rrugën zhvillimit të kantierit detar dhe një bashkëpunimi tregtar me Fincantieri-n, së bashku me shoqërinë KAYO, në kuadër të një sipërmarrjeje të përbashkët,” theksoi ministri. Ai shtoi se në kantier parashikohet prodhimi i anijeve me gjatësi deri në 82 metra, duke zgjeruar kështu aktivitetin e mëparshëm të prodhimit të anijeve në Shqipëri përmes këtij bashkëpunimi.

Gjithashtu, qeveria miratoi pjesëmarrjen e Shqipërisë në një mision në Gaza, ku fillimisht do të ketë një përfaqësi prej katër oficerësh shtabi. “Pas vlerësimit të angazhimit në forcën ndërkombëtare stabilizuese, do të vendoset edhe niveli i trupave që mund të dërgohen në Gaza,” tha ministri.

Në mbledhje u miratua edhe një vendim për misionin e Forcave të Armatosura në Letoni, pa dhënë detaje mbi përmasën apo kohëzgjatjen e angazhimit. Kabineti ka autorizuar gjithashtu shpërblime për zjarrfikësit, forcat e mbrojtjes dhe efektivët e angazhuar në operacionet kundër zjarreve. Ministri informoi se gjatë situatës së zjarreve këtë vit janë menaxhuar 27 vatra masive, me angazhimin e më shumë se 1,380 forcave, pesë helikopterëve dhe 90 mjeteve.

Scroll to Top