“`html
Nga loja tek inovacioni: Fondacioni Vodafone mbështet Kampin Veror Inno Kids
Teknologjia dhe inovacioni mund të jenë aleatë të zhvillimit të fëmijëve, kur përdoren në mënyrë të sigurt dhe të balancuar. Ky ishte synimi i Kampit Veror Inno Kids në Korçë, i cili mblodhi për dy javë 70 fëmijë të etur për të mësuar më shumë rreth botës dixhitale, duke u nxitur nga loja, sfidat dhe krijimtaria.
Kampi Veror Inno Kids, i mbështetur nga Fondacioni Vodafone Shqipëri, në partneritet me Bashkinë Korçë dhe Këshillin Britanik, u ofroi fëmijëve momente të bukura mësimi, argëtimi dhe krijimtaria, përmes mjeteve të kodimit, kurrikulës bashkëkohore të aftësimit dixhital dhe pajisjeve teknologjike.
Përveç përmbajtjes, ajo që e bëri Inno Kids të veçantë ishin gjashtë mentorët dhe trajnerët e certifikuar. Ata ishin njohës të thellë të kurrikulave “21st Century Schools” të Këshillit Britanik dhe “Skills Upload Jr” të Fondacionit Vodafone. Mentorët punuan me përkushtim për t’u mësuar fëmijëve se si përdorimi i teknologjisë është një vlerë e shtuar që mund të sjellë zgjidhje inovative në shërbim të shoqërisë.
Metodologjitë dhe kurrikulat e përdorura gjatë kampit veror, nga data 13 deri më 24 korrik 2026, ishin bashkëkohore me ato të vendeve europiane ku Fondacioni Vodafone kontribuon me programin Skills Upload Junior. Në qendër të kurrikulës ishte ndërtimi i aftësive thelbësore si mendimi kritik, zgjidhja e problemeve dhe projektimi i zgjidhjeve teknologjike për çështje sociale. Gjithashtu, u theksua bashkëpunimi për mirëqenien dixhitale të fëmijëve, në mënyrë që ata të ndjehen të sigurt duke përdorur teknologjinë.
Nga duart dhe mendjet e 70 fëmijëve lindën projekte dhe koncepte inovative, të ndërtuara mbi njohuritë e fituara gjatë kampit. Këto projekte, të krijuara nga fëmijët, demonstruan se kur ata pajisen me mjetet dhe lirinë e duhur për të eksploruar, ata jo vetëm mësojnë, por edhe krijojnë.
Kampi veror Inno Kids nuk ishte thjesht një aktivitet “dixhital”. Fëmijët zhvilluan lojëra edukative, sfida në grup dhe ushtrime praktike që kërkuan imagjinatë, logjikë dhe vëmendje.
Në mbyllje të kampit u zhvillua një ceremoni ku morën pjesë z. Sotiraq Filo, Kryetar i Bashkisë Korçë, znj. Viola Puci, Drejtore Ekzekutive e Fondacionit Vodafone Shqipëri, si dhe znj. Majlinda Mazelliu, Zëvendësdrejtore për Ballkanin Perëndimor dhe Drejtore për Shqipërinë dhe Kosovën në Këshillin Britanik. Fëmijëve u shpërndanë certifikata, duke treguar se e ardhmja dixhitale e Shqipërisë mund të ndërtohet që tani, nga fëmijët, me ide dhe pasion.
Programi Skills Upload Jr, pjesë e nismave të Vodafone Foundation në Europë, synon t’u sigurojë të gjithë fëmijëve dhe të rinjve aftësitë dixhitale të nevojshme për t’u ndjerë të përfshirë dhe të përgatitur për botën e sotme. Programi mbështet edhe mësuesit në integrimin e aftësive dixhitale në lëndët mësimore, duke përdorur teknologjitë moderne si pajisjet inteligjente, inteligjenca artificiale, robotika dhe realiteti i shtuar.
Vetëm gjatë viteve 2025-2026, nëpërmjet këtij programi janë trajnuar drejtpërdrejt 27.259 mësues dhe 253.206 nxënës në Shqipëri dhe në shtatë vende të tjera të Europës.
“`