Ministria e Financave bën një hap të rëndësishëm drejt çeljes së fondeve të programit IPARD III
Ministria e Financave ka përfunduar përgatitjen e paketës së akreditimit për Programin IPARD III, duke shënuar një progres të konsiderueshëm drejt aksesimit të fondeve të Bashkimit Evropian për zhvillimin e bujqësisë dhe zonave rurale.
Nën drejtimin e Zyrtarit Kombëtar Autorizues (ZKA), dhe me mbështetjen e strukturave përkatëse si Drejtorisë Mbështetëse të ZKA-së dhe Drejtorisë së Fondit Kombëtar, është përpiluar një dokumentacion i plotë, i cili përputhet me standardet e Bashkimit Evropian.
Paketa e dorëzuar përmban kërkesën për besimin e detyrave të zbatimit buxhetor, shoqëruar me dëshmitë e detajuara mbi përmbushjen e kritereve të përcaktuara nga Komisioni Evropian.
Ky dorëzim përbën një moment kyç në përgatitjet për çeljen e fondeve të IPARD III, të cilat pritet të vihen në dispozicion gjatë vitit 2026. Procesi do të vijojë me fazën e vlerësimit nga shërbimet e Komisionit Evropian (DG AGRI), e cila përfshin analizën e hollësishme të dokumentacionit dhe mundësinë e verifikimeve në terren. Kjo fazë parashikohet të zhvillohet gjatë tremujorit të dytë të këtij viti.
Ministria e Financave rithekson angazhimin e saj për të garantuar përmbushjen e të gjitha standardeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian dhe për të mundësuar përthithjen efektive të fondeve IPARD III. Kjo synon rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit bujqësor dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale.
Në gusht 2023, Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) konstatoi shkelje dhe keqpërdorime të fondeve të programit IPARD II, pas hetimeve të nisura mbi denoncime për korrupsion dhe favorizime.
Nëntorin e kaluar, Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se programi IPARD III, i pezulluar që nga viti 2023, do të rihapet në vitin 2026. Ai theksoi se qeveria po ndërmerr masat e kërkuara nga Komisioni Evropian pas parregullsive të konstatuara në fazën e dytë të programit, dhe fondet pritet të zhbllokohen pas vlerësimit të plotë nga DG Agri.
Më herët, Salla Saastamoinen, drejtoreshë në detyrë pranë OLAF, nënvizoi se Komisioni Evropian kishte kërkuar masa konkrete nga Shqipëria lidhur me shkeljet e gjetura në përdorimin e fondeve IPARD.
Programi IPARD III pritet të disponojë fonde në vlerën e 146 milionë eurove, duke përbërë një rritje prej 55% krahasuar me programin IPARD II. Kontributi i BE-së për këtë program arrin në 112 milionë euro. IPARD III ofron 9 masa të reja financimi, krahasuar me 3 masa që kishte programi i mëparshëm.
Në korrik 2023, Komisioni Europian ndërpreu financimin për programin IPARD II, pas dyshimeve për korrupsion, gjë që çoi në nisjen e hetimeve nga Zyra Europiane Kundër Mashtrimit. Në vitin 2024, OLAF njoftoi zyrtarisht se nga hetimet e saj rezultuan të papërshtatshëm 33 milionë euro fonde të thirrjes së parë dhe të dytë të programit.
Programi IPARD II, i cili u përfshi në një proces hetimi, kishte në total një fond prej 94.6 milionë euro, nga të cilat 71 milionë euro ishin financime të BE-së.
