KLGJ rrit pagat e gjyqtarëve, paga minimale arrin 222.425 lekë. Vendimi mund të shkaktojë përplasje me qeverinë
Pas disa muajsh përplasjeje me qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka marrë një vendim për rritjen e pagave të gjyqtarëve në vend.
Në mbledhjen e së mërkurës, KLGJ vendosi me 9 vota pro dhe asnjë kundër rritjen e pagës referuese të gjyqtarëve me 65.600 lekë. Sipas vendimit, nga 1 gushti 2026 paga referuese do të jetë 222.425 lekë, nga 156.800 lekë që ishte më parë. Kësaj shume i shtohet edhe shtesa për nivelin e kualifikimit prej 14.000 lekësh.
KLGJ miratoi gjithashtu propozimin për kompensimin e rritjes së munguar të pagave për periudhën nga 1 prilli 2023 deri më 31 korrik 2026.
Ky është një zhvillim i rëndësishëm, pasi bëhet fjalë për herë të parë që Këshilli i Lartë Gjyqësor ndërhyn drejtpërdrejt në përcaktimin e pagave të magjistratëve, të cilat deri tani kanë qenë të përcaktuara në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Vendimi vjen pas një përplasjeje institucionale që lidhet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të shkurtit 2026. Gjykata rrëzoi ndryshimet ligjore të vitit 2023, të cilat përcaktonin pagën e magjistratit në masën 0.36% të pagës së Presidentit të Republikës, duke argumentuar se ndryshimi kishte sjellë një “ulje të fshehtë” të pagave dhe ishte antikushtetues.
KLGJ argumenton se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i detyrueshëm dhe mbi këtë bazë, ka përcaktuar rritjen e pagave dhe kompensimin për periudhën e konsideruar si ‘‘ulje e fshehtë’’. Megjithatë, vendimi pritet të hapë një tjetër debat mes institucioneve.
Sipas kuadrit ligjor, përcaktimi dhe ndryshimi i pagave të magjistratëve lidhet me kompetencat e Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit. Një pikë tjetër e debatit lidhet me zbatimin financiar të vendimit.
Drejtoria e Thesarit duhet të miratojë çdo muaj listë-pagesat dhe nëse fondi i përcaktuar aktualisht për pagat nuk mbulon shumat e reja të vendosura nga KLGJ, mund të krijohet një përplasje e re institucionale. Thesari nuk mund të ekzekutojë pagesa mbi fondet e parashikuara pa një vendim përkatës të qeverisë, Kuvendit apo titullarit të institucionit, çka e bën zbatimin e vendimit të KLGJ-së një tjetër çështje që pritet të diskutohet mes institucioneve.
