KMD afrohet me qytetarët: Turne për të drejta dhe mbrojtje

KMD i afrohet qytetarëve: Nis turneu në 10 bashki për të drejtat dhe mbrojtjen nga diskriminimi

Më 23 shtator, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD) fillon në Malësinë e Madhe një seri takimesh në terren, si pjesë e nismës së re “Udhëtimi në Shqipëri”. Kjo iniciativë do ta sjellë institucionin më pranë qytetarëve dhe komuniteteve lokale.

Nisma, e konceptuar për herë të parë në këtë format, do të zgjasë deri në dhjetor 2026 dhe do të përfshijë disa bashki nga veriu në jug të vendit. Synimi kryesor është të informojë qytetarët për të drejtat e tyre dhe mekanizmat institucionalë për mbrojtjen nga diskriminimi, duke u fokusuar veçanërisht në zonat ku ky akses është më i kufizuar.

Ndalesa e parë, më 23 shtator në Malësinë e Madhe, do të trajtojë temën e barazisë në aksesin ndaj shërbimeve publike. Një ditë më pas, më 24 shtator, turneu do të vijojë në Fushë-Arrëz, ku do të diskutohet mbrojtja nga diskriminimi në komunitetet rurale dhe sfidat që qytetarët hasin në lidhje me arsimin, punësimin dhe shërbimet publike.

Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, znj. Genta Tafa (Bungo), së bashku me ekipin e saj, do të zhvillojë takime të drejtpërdrejta me qytetarë, përfaqësues të institucioneve vendore, arsimore, organizatave të shoqërisë civile dhe grupeve vulnerabël.

“Mbrojtja nga diskriminimi nuk duhet të kufizohet brenda institucionit. Duam të jemi pranë qytetarëve, t’i dëgjojmë nga afër, t’i informojmë për të drejtat dhe mekanizmat që kanë në dispozicion, dhe mbi të gjitha, të kuptojmë pengesat konkrete me të cilat ata përballen në jetën e përditshme. Barazia fiton kuptim kur qytetari e ndien atë në aksesin ndaj arsimit, punësimit, shërbimeve publike dhe në marrëdhëniet me institucionet,” thekson znj. Tafa (Bungo).

Përmes dialogut të drejtpërdrejtë, KMD synon jo vetëm të informojë qytetarët për të drejtat e tyre dhe mënyrën e paraqitjes së një ankese, por edhe të identifikojë nga afër pengesat konkrete me të cilat ata përballen. Nisma ka gjithashtu për qëllim të nxisë reagimin dhe bashkëpunimin institucional për zgjidhjen e problemeve të konstatuara në nivel vendor.

Pas Malësisë së Madhe dhe Fushë-Arrëzit, turneu “Udhëtimi në Shqipëri” do të vazhdojë në Kukës, Bulqizë, Klos, Librazhd, Mallakastër, Kolonjë dhe Përmet, duke u përmbyllur më 2 dhjetor në Rrëshen. Takimet do të fokusohen në çështje të rëndësishme për jetën e qytetarëve, duke përfshirë:

  • Barazinë në punësim
  • Të drejtat e grave dhe vajzave
  • Aksesueshmërinë për personat me aftësi të kufizuara
  • Diversitetin dhe arsimin gjithëpërfshirës
  • Mekanizmat ligjorë për mbrojtjen nga diskriminimi

Duke e sjellë institucionin më pranë qytetarëve, veçanërisht në komunitetet ku informacioni dhe aksesi në mekanizmat e mbrojtjes mund të jenë më të kufizuara, KMD synon ta bëjë parimin e barazisë më të prekshëm në praktikë. Nisma lidhet gjithashtu me forcimin e standardeve për mbrojtjen e të drejtave themelore dhe me angazhimet e Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

Scroll to Top