Dita e 49 e konfliktit në Lindjen e Mesme: Armëpushim 10-ditor mes Libanit dhe Izraelit, mundësi marrëveshjeje Iran-SHBA
Konflikti në Lindjen e Mesme ka hyrë në ditën e 49-të, teksa përpjekjet për armëpushim dhe negociata vazhdojnë. Një armëpushim 10-ditor midis Libanit dhe Izraelit, i shpallur nga Presidenti amerikan Donald Trump, ka hyrë në fuqi. Megjithatë, vetëm disa orë më vonë, ushtria libaneze akuzoi Izraelin për shkelje të marrëveshjes.
Izraeli është përfshirë në luftime të ashpra me Hezbollahun, grupin e mbështetur nga Irani, që prej fillimit të konfliktit rajonal. Presidenti Trump ka ftuar drejtuesit e të dy vendeve për bisedime në Shtëpinë e Bardhë, në një përpjekje për të stabilizuar situatën.
Në planin diplomatik, një zyrtar iranian bëri të ditur se janë arritur disa përparime në bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, të ndërmjetësuara nga Pakistani. Megjithatë, mbeten ende çështje shumë të diskutueshme, sidomos lidhur me programin bërthamor të Teheranit.
Presidenti Trump deklaroi se SHBA-të kanë tani një marrëdhënie shumë të mirë me Iranin dhe se palët po merren vesh shumë mirë. Sipas raportimeve, një raund i dytë bisedimesh pritet të zhvillohet në Islamabad, kryeqytetin pakistanez.
Pavarsësisht toneve më optimiste në diplomaci, paralajmërimet ushtarake nuk mungojnë. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se SHBA-të janë të përgatitura dhe të ngarkuara, duke theksuar se situata po monitorohet nga afër. Ndërkohë, gjenerali Dan Caine shtoi se ushtria amerikane është gati të rifillojë operacionet luftarake në çdo moment, duke lënë të kuptohet se armëpushimi mbetet i brishtë.
