KQZ propozon datën 7 qershor për zgjedhjet e reja në Kosovë
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniçi, ka propozuar datën 7 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Propozimi është bërë pas një takimi që ai zhvilloi me presidenten në detyrë, Albulena Haxhiu.
Radoniçi u shpreh se periudha e caktuar është e nevojshme për përgatitjen e procesit zgjedhor. “Sa i përket datës, kemi kërkuar që të kemi sa më shumë kohë, na duhen përgatitje sepse nuk është proces i lehtë. I mbetet presidentes. Gjykata Kushtetuese e ka caktuar 31 majin ose 7 qershorin. Për ne është 7 qershori, tash i mbetet presidentes të vendosë,” deklaroi ai.
Shefi i KQZ-së theksoi se nuk është diskutuar për buxhetin e nevojshëm për organizimin e zgjedhjeve, por shtoi se “besoj do të jetë përafërsisht si në zgjedhjet e kaluara”. Sipas REL, zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura më 28 dhjetor 2025, i kushtuan Kosovës rreth 7 milionë euro.
Data 7 qershor paraqet afatin e fundit të mundshëm për mbajtjen e zgjedhjeve. Zgjedhjet e reja vijnë si pasojë e dështimit të Kuvendit për të zgjedhur një president të ri brenda afatit ligjor, duke e zhytur vendin në një krizë të re politike.
