Kredite me probleme bien në 3.75%, niveli më i ulët në 18 vite

Raporti i kredive me probleme zbriti në 3.75% në muajin prill

Raporti i kredive me probleme u kthye në rënie në muajin prill. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, ky raport zbriti në 3.75%, nga 3.85% që kishte qenë në muajin mars. Ky tregues vazhdon të jetë në rënie edhe krahasuar me një vit më parë, ku ishte 4.03% në prillin e vitit 2025.

Për momentin, raporti i kredive me probleme është në nivelin më të ulët të 18 viteve të fundit. Në vlerë absolute, stoku i kredive me probleme vlerësohet në rreth 36.3 miliardë lekë. Megjithatë, kreditë e këqija në vlerë janë rritur me 3.4% krahasuar me një vit më parë.

Aktualisht, raporti i kredive me probleme duket se po ruan tendencën rënëse, pavarësisht shqetësimeve të lidhura me rritjen e shpejtë të kreditimit në vitet e fundit. Ecuria e mirë makroekonomike dhe zgjerimi i vazhdueshëm i portofolit të kredisë po ndikojnë pozitivisht në performancën e treguesit të kredive në vonesë.

Në fund të prillit, teprica e kredisë për ekonominë arriti në 968.2 miliardë lekë, duke u rritur me 9.5 miliardë lekë krahasuar me marsin. Në bazë vjetore, portofoli i kredisë për ekonominë është rritur me 11% krahasuar me një vit më parë.

Masat e marra vitin e kaluar nga Banka e Shqipërisë duket se kanë filluar të japin efekt në ngadalësimin e kreditimit për blerjen e banesave nga individët. Megjithatë, ky ngadalësim është kompensuar nga rritja në segmentin e kredisë konsumatore dhe përshpejtimi i rritjes së portofolit të kredisë për biznesin.

Sektori po ruan një ecuri pozitive për sa i përket rritjes, por edhe performancës financiare dhe cilësisë së aseteve. Kriza në Lindjen e Mesme dhe rritja e çmimeve të karburanteve kanë sjellë disa rreziqe të reja, por përmasat e ndikimit të kësaj krize duket se do të jenë më të kufizuara nga sa mund të mendohej në fillim të saj.

Inflacioni po rritet dhe po e bën më të mundshme një rritje të normave të interesit gjatë muajve të ardhshëm. Megjithatë, bankat qendrore, në skenarët bazë, nuk parashikojnë efekte dramatike dhe devijime afatgjata nga objektivat e tyre të inflacionit. Normat më të larta të interesit do të ndikonin negativisht aftësinë paguese të detyrimeve, si dhe kërkesën për kredi të reja. Teorikisht, kjo mund të shtojë rreziqet për rritje të kredive me probleme, por, për aq kohë sa rritja e normave do të jetë e kufizuar, ky ndikim nuk pritet të jetë shumë i madh.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Scroll to Top