Krim makabër në Brazil: 41-vjeçari ekzekutohet para dy vajzave të tij, u qëllua 10 herë
BRAZIL – Një ngjarje e rëndë ka tronditur Brazilin. Një 41-vjeçar, i identifikuar si Entesio Jesus dos Santos, është ekzekutuar me armë zjarri në prani të dy vajzave të tij. Ngjarja ka ndodhur teksa viktima ndodhej në automjet, së bashku me dy vajzat, dhe po largohej nga një stacion karburanti.
Pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë kanë dokumentuar momentin e atentatit. Sipas informacioneve nga mediat e huaja, dy persona të armatosur, duke përdorur motoçikleta dhe me kokë mbuluar nga helmeta, i janë afruar automjetit të 41-vjeçarit. Ata janë ndalur në krah të shoferit dhe kanë hapur zjarr nga dritarja, duke e qëlluar viktimën rreth 10 herë.
Pas të shtënave, njëra prej vajzave, e tmerruar nga ngjarja, ka dalë nga makina dhe ka tentuar të largohet me vrap. Pak momente më vonë, ajo është kthyer për të marrë motrën e saj, e cila kishte mbetur e shtangur nga frika në sediljen e pasme.
Autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes me motoçikleta. Deri më tani, nuk ka pasur raportime për arrestime. Policia ka nisur hetimet për identifikimin e tyre, ndërkohë që motivi i vrasjes ende nuk është bërë i ditur. Autoritetet po shqyrtojnë pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
