Komiteti Shqiptar i Helsinkit i dërgon letër burgut 313 në Tiranë: T’i jepet fund shkeljes së të drejtave të presidentit Ilir Meta, lejojeni të mbajë takime
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) i ka kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) “Jordan Misja” që t’i japë fund kufizimit të takimeve të Ilir Metës me deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe të Parlamentit Evropian. KShH shprehet se është vënë në dijeni të ankesave të bëra nga deputeti Tedi Blushi dhe Ilir Meta, lidhur me moslejimin e zhvillimit të këtyre takimeve.
Në letrën drejtuar institucionit, Komiteti Shqiptar i Helsinkit thekson se kufizimi është zbatuar pa u bërë të ditur një vendim i arsyetuar apo baza ligjore mbi të cilën është mbështetur. Ilir Meta ndodhet në burgun 313 prej tetorit 2024.
Letra e plotë:
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në përmbushje të misionit të tij për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve, është informuar rreth ankesave të Z. Tedi Blushi, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, dhe Z. Ilir Meta, president i Partisë së Lirisë. Këto ankesa ngrenë shqetësime lidhur me moslejimin e zhvillimit të takimeve të zotit Meta me deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe deputetë të Parlamentit Evropian, pa u bërë të ditur një vendim i arsyetuar apo baza ligjore mbi të cilën mbështetet ky kufizim.
KShH dëshiron të rikujtojë se kjo çështje është trajtuar edhe më parë gjatë monitorimit të kryer në IEVP “Jordan Misja”, si dhe në rekomandimet e adresuara institucionit tuaj me shkresën nr. 151 prot., datë 27.04.2026. Në atë kohë, u vlerësua se kufizimi i takimeve të të paraburgosurve me deputetë ngre shqetësime serioze sa i përket respektimit të të drejtave të garantuara nga ligji, veçanërisht nga neni 51 i ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.
Në vazhdim të këtij procesi monitorimi dhe korrespondencës institucionale, KShH kishte konstatuar një ndikim pozitiv në praktikën e ndjekur nga institucioni. Për këtë arsye, rikthimi i pretenduar i së njëjtës praktikë ngre shqetësim dhe kërkon sqarim për personat e përfshirë. Sidomos, kërkohet të dihet nëse kanë ndryshuar rrethanat faktike që do të justifikonin një qasje të ndryshme nga ajo e ndjekur pas rekomandimeve të mëparshme.
Në respektim të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, KSHH do të vlerësonte informimin nga ana juaj mbi pretendimet e Z. Ilir Meta dhe Z. Tedi Blushi. Lutemi të gjeni bashkëlidhur, për dijeninë tuaj, letrat e cituara më sipër.
Duke ju falenderuar për bashkëpunimin e deritanishëm, mbetemi në pritje të një përgjigjeje zyrtare nga ana juaj!
