Albin Kurti tërhiqet, Lëvizja Vetëvendosje propozon Glauk Konjufcën për mandatar për qeverinë
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar nënkryetarin e kësaj partie, Glauk Konjufcën, si mandatar për kryeministër të Kosovës.
Ky propozim vjen pas dështimit të qeverisë së propozuar nga Albin Kurti më 26 tetor, e cila nuk arriti të marrë mbështetjen e nevojshme prej 61 deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Në atë qeveri, Konjufca ishte caktuar në postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm dhe Diasporës.
Albin Kurti ka theksuar se ky veprim mund të shmangë dy palë zgjedhje dhe t’i mundësojë Kuvendit miratimin e buxhetit për vitin 2026. Sipas tij, nëse vendi shkon në zgjedhje në dhjetor pa buxhet, shteti do të rrezikohej.
“Unë marr vendin e Glaukut, e ai timin, siç jemi dakorduar bashkë mbrëmë. Caktimi i mandatarit të dytë në këto rrethana është domosdoshmëri. Le ta votojë opozita një qeveri të udhëhequr nga Glauku,” tha kreu i LVV-së, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë.
Ky vendim i LVV-së vjen vetëm një ditë para skadimit të afatit 10-ditor të presidentes Vjosa Osmani, për t’i dhënë dikujt mandatin për formimin e Qeverisë së re të Kosovës ose për të shpallur zgjedhje të reja.
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar mbledhjen e LVV-së si “shfaqje teatrale”, duke i përshkruar ata si “mandatar pa numra, pa shumicë e pa legjitimitet demokratik”. Ai shkroi në Facebook: “Dua të besoj se presidentja e Republikës do të respektojë vullnetin e shumicës shqiptare, para mbledhjeve propaganduese të partive me mandatarë plot por pa shumicë parlamentare.”
