Kuvendi i Kosovës mblidhet sërish sot për zgjedhjen e Presidentit; dalin 2 emra të rinj
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se sot do të mbahet një seancë e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit, e cila do të zhvillohet në orën 20:30.
Si pjesë e kësaj kërkese, janë propozuar dy kandidatura të reja për President: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.
“Sot kam pranuar kërkesën e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për zgjedhjen e Presidentit, e cila do të mbahet sot në orën 20:30. Në kuadër të kësaj kërkese janë propozuar dy kandidatura për President: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha. I ftoj që të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të marrin pjesë në këtë seancë, në përputhje me obligimet e tyre kushtetuese,” – shkroi Haxhiu në rrjetet sociale.
Më herët, Zëvendëskryeministri Glauk Konjufca, u tërhoq nga kandidatura e tij. Ai bëri njoftimin në një deklaratë në sallën e kuvendit.
“Zonja kryetare, unë në fjalimin tim thashë se tërhiqem si kandidat për president. Mund të jetë marrë ndoshta kështu në formë më politike, por nëse doni ta merrni në formën juridiko-kushtetuese apo në përputhje me rregulloren e Kuvendit, unë formalisht, për hir të transkriptit të regjistrohet kjo, tërhiqem nga kandidatura për president të Republikës së Kosovës,” – ka thënë Konjufca.
Pas tij, fjalën e mori deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, e cila po ashtu deklaroi se e tërheq kandidaturën e saj.
“Edhe unë tërhiqem,” – u shpreh ajo.
