LAJM I FUNDIT/ Arrestohet në Brazil Ervin Mata
Është arrestuar në Brazil Ervin Mata. Lajmi është konfirmuar nga gazetarja Klodiana Lala.
Më herët, Gjykata e Lartë Federale ka lëshuar një urdhër-arresti për biznesmenin shqiptar Ervin Matën, i cili kërkohet nga SPAK si përgjegjës për trafikimin e sasive të konsiderueshme të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës.
Drejtësia shqiptare ka paraqitur më parë një kërkesë në gjykatat braziliane për ekstradimin e biznesmenit.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Ervin Mata, së bashku me grupin e tij, është përgjegjës për trafikimin e lëndëve narkotike nga Amerika Latine në Europë. Po ashtu, sipas SPAK-ut, këtij grupi i është kapur një sasi prej 931 kg lëndë narkotike gjatë një periudhe kohore prej 2 vitesh.
Paratë e fituara nga ky aktivitet i drogës, grupi në fjalë besohet se i ka investuar në Shqipëri në sektorin e ndërtimit. Ndër të tjera, për të mos rënë në sy të autoriteteve, lëvizjen e parave e bënin nëpërmjet sistemit Hawala.
