Monika Kryemadhi për Ilir Metën dhe jetën së bashku

Monika Kryemadhi ka folur për marrëdhënien e saj me Ilir Metën, duke theksuar se ende gëzon respekt për 33 vitet e kaluara së bashku si partnerë. E ftuar në emisionin ‘Breaking’ në Top News, ajo u shpreh se vitet e bashkëjetesës me Metën kanë qenë periudha më e bukur e jetës së saj, pavarësisht sfidave dhe betejave të shumta që kanë kaluar.

“Unë nuk mund të mohoj 33 vite jetë me Metën, nuk kanë qenë të tmerrshme, por shumë të bukura. Ka qenë periudha më e bukur e jetës sime. Me Metën kam kaluar shumë sfida, shumë beteja, disa i fituam, disa u humbën. Unë nuk mund të mohoj çdo gjë. Kjo që jam, jam për shkak të bashkëjetesës sime me të. Ai ishte shumë tolerant, më linte të bëja çfarë të doja, nuk kam pasur kurrë kontroll,” – tha Kryemadhi.

Ajo shtoi se pendohet që ka harxhuar kohë për të tjerët dhe jo për familjen e saj, duke theksuar një peng në marrëdhënien me fëmijët për shkak të përkushtimit ndaj njerëzve të tjerë.

Duke iu referuar Metës, Kryemadhi theksoi se ai kurrë nuk ka qenë i vëmendshëm për veshjen e saj, përveç një rasti kur i bëri përshtypje kur i kishte lyer flokët e kuqe.

Më tej, ajo foli për akuzat dhe manipulimet e bëra, duke përmendur SPAK dhe Drejtorin Dumani. “Sot ndjej respekt dhe inat me veten që SPAK dhe Dumani përdorën metodologjinë e sigurimit të shtetit për të na futur në konflikt, duke i quajtur si bashkëpunëtor të SPAK, pra që kam tradhtuar Metën dhe doli që nuk ishte e vërtetë. Meta gjithmonë i ka besuar njerëzit dhe ky ka qenë problemi më i madh i tij. Ai ka një miqësi të tepruar brenda vetes së tij. Zhgënjimin e ka shumë më të madh. Manipulimi që është bërë ka qenë shumë i shëmtuar dhe jo njerëzor.”

Monika Kryemadhi riktheu në vëmendje edhe akuzat që i janë bërë lidhur me një të dashur. “Të gjithë ata që kanë ndërtuar këtë lloj skeme… ata i thanë në fillim Metës, që në telefonin e Monikës kemi gjetur një të dashur, pra “Monika ka të dashur”. Unë thoja që të kesh të dashur duhet të kesh kohë njëherë. Meta kishte ikur nga shtëpia atëherë. Thonin që unë kam të dashur. I kishin çuar Metës mesazhet e mia me “Zemra ime”. Unë Metën e kisha të regjistruar në telefon me “Zemra ime”,” – u shpreh Kryemadhi.

Scroll to Top