Tërmet i fortë në Japoni: 50 të plagosur, dëme dhe rrezik cunami

Tërmeti 7.1 ballë goditi Japoninë, 50 të plagosur dhe dëme të shumta materiale

Një tërmet me magnitudë 7.1 ballë të shkallës Rihter ka goditur të martën në mëngjes ishullin japonez të Kyushu. Numri i personave të plagosur ka shkuar në 50, ndërsa janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturë.

Sipas autoriteteve japoneze, të gjithë të plagosurit janë dërguar në spitale për trajtim mjekësor. Mes tyre janë edhe 10 të moshuar nga një azil pleqsh.

Raportet paraprake tregojnë dëmtime në ura dhe rrugë. Transmetuesi publik NHK njoftoi se në prefekturën ku ndodhej epiqendra janë regjistruar të paktën 12 shembje ndërtesash. Gjithashtu, katër persona rezultojnë të bllokuar nën rrënoja, ndërsa nëntë të tjerë raportohen të zhdukur.

Pas tërmetit, autoritetet japoneze lëshuan një paralajmërim për cunami me valë që mund të arrijnë deri në një metër lartësi. Alarmi përfshiu prefekturat Kumamoto, Nagasaki, Kagoshima, Fukuoka, Saga, Oita dhe Miyazaki.

Lëkundja kryesore u pasua nga të paktën tre pasgoditje brenda 10 minutash, me magnitudë nga 4.5 deri në 3.8 ballë të shkallës Rihter.

Kompania Kyushu Electric Power bëri të ditur se nuk janë regjistruar probleme në centralet bërthamore Sendai dhe Genkai. Ndërkohë, kompania hekurudhore JR Kyushu ka pezulluar përkohësisht shërbimet e trenave në zonat e prekura.

Qendra Amerikane e Paralajmërimit për Cunami në Paqësor (PTWC) njoftoi se nuk ekziston rrezik për cunami në Hawaii dhe Samoa Amerikane.

Zona e Kyushut është goditur edhe më parë nga tërmete të forta. Në vitin 2016, një tërmet i fuqishëm në këtë rajon shkaktoi vdekjen e 50 personave, plagosjen e rreth 1,800 të tjerëve dhe dëmtimin ose shkatërrimin e mijëra banesave.

Scroll to Top