Pagesa Jobanka, Akses Direkt në Sistemet Kombëtare të BSH

Ligji drejt miratimit: Institucionet e pagesave marrin akses direkt në sistemet kombëtare të BSH-së

Ndryshimet në ligjin “për sistemin e pagesave” pritet të mundësojnë pjesëmarrjen direkte të institucioneve financiare jo banka në sistemet kombëtare të pagesave, sipas draftit të depozituar në Kuvendin e Shqipërisë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, objektivi kryesor i këtyre ndryshimeve ligjore është zgjerimi i kategorive të subjekteve pjesëmarrëse në sistemet e pagesave që funksionojnë sipas parimit të finalitetit të shlyerjes. Gjithashtu, synohet rritja e konkurrencës dhe efikasitetit në tregun e pagesave, duke sjellë si pasojë rritjen e përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave.

Pjesëmarrja direkte në sistemet e pagesave është një kërkesë e kahershme e institucioneve financiare të pagesave, veçanërisht pas miratimit të ligjit të ri “Për shërbimet e pagesave”, i cili transpozoi Direktivën Europiane të Pagesave PSD 2. Argumenti kryesor i këtyre institucioneve ka qenë se nuk mund të ketë konkurrencë plotësisht të drejtë dhe të barabartë në shërbimet e pagesave, për sa kohë që pjesëmarrja direkte në sistemet e pagesave lejohet vetëm për bankat tregtare, ndërsa institucionet e pagesave detyrohen t’i shlyejnë pagesat nëpërmjet tyre.

Për këtë arsye, anëtarësimi direkt i institucioneve financiare jobanka në sistemet kombëtare të pagesave do të shënojë një risi të rëndësishme në funksionimin e tregut të pagesave.

Aktualisht, pjesëmarrësit në sistemin e pagesave të Bankës së Shqipërisë, të pagesave ndërbankare me vlerë të madhe (AIPS), kategorizohen në:

  • Pjesëmarrës të drejtpërdrejtë: Kryejnë pagesat direkt nga llogaritë e tyre të shlyerjes. Në këtë kategori përfshihen Banka e Shqipërisë dhe bankat tregtare.
  • Pjesëmarrës të tërthortë: Shlyejnë nëpërmjet llogarive të administruara nga Banka e Shqipërisë. Këtu përfshihen Ministria e Financave, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), Banka Botërore (IBRD) dhe Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD), të cilët kanë këtë të drejtë nga ligjet e organizimit të tyre. Banka e Shqipërisë, në rolin e saj si agjent shlyerës për klientët e saj, kryen pagesa për pjesëmarrësit e tërthortë, duke administruar llogari të posaçme për ta.
  • Pjesëmarrës operatorë: Shlyejnë pozicionet e tyre nëpërmjet llogarive të shlyerjes së pjesëmarrësve të drejtpërdrejtë në sistemin AIPS, mbi bazë të autorizimit të dhënë nga këta të fundit. Në këtë kategori përfshihen operatorë të sistemeve të shlyerjes së titujve, operatorë të sistemeve të pagesave, operatorë të shtëpive të klerimit, operatorë të skemave kombëtare të pagesave me kartë, si dhe elementë të tjerë të rëndësishëm të sistemit kombëtar të pagesave të licencuar sipas ligjit “Për sistemin e pagesave”, apo operatorë të skemave ndërkombëtare të pagesave me kartë.

Ndërkohë, pjesëmarrësit në sistemin e klerimit të pagesave me vlerë të vogël (AECH) kategorizohen në:

  • Pjesëmarrës të drejtpërdrejtë: Subjektet që shlyejnë nëpërmjet llogarisë së tyre të shlyerjes në sistemin AIPS. Kjo kategori përfshin vetëm Bankën e Shqipërisë dhe bankat tregtare.
  • Pjesëmarrës të tërthortë: Subjektet të cilët shlyejnë nëpërmjet llogarisë së një pjesëmarrësi shlyerës në sistemin AIPS ose nëpërmjet llogarive të administruara nga agjenti shlyerës. Kjo kategori përfshin Ministrinë e Financave dhe pjesëmarrës të tjerë të cilët e kanë këtë të drejtë nga ligjet e organizimit të tyre, si edhe subjektet financiare jobanka të përfshira në aktivitetin e pagesave, transfertave dhe emetimit të parasë elektronike, të cilët mund të mbajnë llogari klientësh dhe që shlyejnë nëpërmjet llogarisë së një banke në sistemin AIPS.
Scroll to Top