Punonjësit e Policisë Kërkojnë Ndryshime Ligjore: Propozime për Kriteret e Konkurimit në Fakultetin e Hetimit të Krimit
Shumë punonjës të Policisë së Shtetit kanë ngritur shqetësime dhe kërkesa për disa ndryshime në kriteret e konkurimit për studimet në Fakultetin e Hetimit të Krimit, duke kërkuar që institucionet përkatëse të rishikojnë disa nga rregullat aktuale. Sipas tyre, një numër i konsiderueshëm policësh që aktualisht shërbejnë në Patrullën e Përgjithshme dhe që kanë filluar detyrën më 13 tetor 2025, kërkojnë mundësi më të drejta dhe më të barabarta për të konkurruar për këtë fakultet.
Punonjësit e policisë paraqesin disa propozime konkrete që, sipas tyre, do të ndihmonin në përmirësimin e sistemit dhe në rritjen e profesionalizmit brenda strukturave të policisë:
- Mundësi Konkurrimi për Fakultetin e Hetimit të Krimit: Punonjësit e policisë që aktualisht shërbejnë në Patrullën e Përgjithshme kërkojnë që të kenë mundësi të konkurrojnë për studimet në Fakultetin e Hetimit të Krimit pa pengesa të panevojshme.
- Vlerësimi i Arsimit të Lartë: Policët që kanë përfunduar studimet universitare kërkojnë që në procesin e konkurrimit të merret parasysh mesatarja e studimeve të Bachelor-it, ndërsa mesatarja e shkollës së mesme të mos jetë kriter penalizues për kandidatët.
- Njohja e Kohës së Trajnimit dhe Shërbimit: Ata propozojnë që të merret parasysh edhe periudha e trajnimit dhe e shërbimit në terren, përfshirë kursin 37-javor dhe muajt e punës në detyrë, në mënyrë që policët të kenë mundësi të konkurrojnë pa kufizime të panevojshme.
- Program i Përshpejtuar për Profile të Caktuara: Për punonjësit që kanë arsim të lartë në fusha si ekonomi, juridik apo informatikë, propozohet që programi i studimeve për Hetimin e Krimit të jetë më i shkurtuar, rreth 6 muaj, duke marrë parasysh përgatitjen e tyre akademike.
- Rishikimi i Kufirit të Moshës për Konkurrim: Punonjësit e policisë kërkojnë gjithashtu që kufiri i moshës për konkurrim në Fakultetin e Hetimit të Krimit të rishikohet dhe të shkojë deri në 35 vjeç, duke argumentuar se kjo do t’u jepte më shumë mundësi zhvillimi profesional punonjësve që tashmë janë në shërbim.
Sipas tyre, këto ndryshime do të ndihmonin në krijimin e një sistemi më të drejtë konkurrimi dhe do të kontribuonin në rritjen e profesionalizmit dhe efikasitetit të strukturave të policisë në vend.
