Protesta dhunshme në Glasgow: 15 të arrestuar

Glasgow: Përleshje të dhunshme, 15 persona të arrestuar gjatë protestave për emigracionin

Të paktën 15 persona u arrestuan të shtunën në Glasgow, Skoci, pas përleshjeve të dhunshme mes protestuesve kundër emigracionit dhe kundërprotestuesve antiracistë. Sipas policisë, incidentet shpërthyen rreth mesditës në dhe përreth parkut Glasgow Green, ku ishin mbledhur të dy grupet.

Forcat e rendit ndërhynë për të ndarë protestuesit dhe për të rikthyer qetësinë. Personat e arrestuar akuzohen për posedim armësh dhe prishje të rendit publik.

Demonstrata ishte organizuar nga grupe kundër emigracionit, përfshirë organizatën Unite the Clans. Qyteti i Glasgow ka qenë skenë e protestave të përsëritura lidhur me politikat e emigracionit gjatë muajve të fundit.

Pamjet e publikuara nga mediat britanike tregojnë oficerë policie të hipur mbi kuaj duke u përpjekur të ndalojnë protestues të veshur me të zeza dhe me kapuç, ndërsa efektivë të tjerë, të pajisur me shkopinj gome, shtynë turmën për të shmangur përshkallëzimin e dhunës. Në një moment, një grup protestuesish shkaktoi trazira të reja në qendër të qytetit.

Glasgow ka përjetuar disa protesta të ngjashme edhe gjatë muajit korrik. Këto tensione janë nxitur pas publikimit në internet të informacioneve mbi identitetin dhe adresat e dy personave të dyshuar për përfshirje në sulme, si dhe nga një pretendim i pabazuar qarkulluar në rrjetet sociale se një ish-shtëpi kujdesi për të moshuarit do të përdorej për strehimin e azilkërkuesve.

Autoritetet kanë bërë thirrje për qetësi, ndërsa hetimet mbi incidentet dhe përgjegjësit për dhunën vijojnë.

Scroll to Top