Avion ushtarak Francez lufton zjarret në Bordeaux

Video e rrallë! Momenti kur një avion ushtarak francez hedh lëndë retardante mbi zjarret në Bordeaux

Forcat Ajrore Franceze kanë përdorur për herë të parë në një operacion real zjarrfikjeje avionin transportues ushtarak A400M. Ky avion u angazhua në luftën kundër zjarreve të mëdha që kanë përfshirë rajonin e Bordeaux.

Gjatë pasdites, avioni kreu hedhjen e parë operative të lëndës retardante mbi zonën e Lacanau, në departamentin Gironde, në përpjekje për të frenuar përhapjen e flakëve.

A400M, i prodhuar nga Airbus, mund të transportojë deri në 20 mijë litra ujë ose lëndë retardante, duke u bërë një mjet i rëndësishëm në operacionet ajrore kundër zjarreve. Përdorimi i tij vjen pasi Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Franceze njoftoi se ishin përfunduar të gjitha përgatitjet teknike për certifikimin e sistemit dhe vënien e tij në shërbim operacional.

Sistemi, i testuar nga Airbus në prill të vitit 2025, përbëhet nga një rezervuar gjysmë cilindrik i vendosur në pjesën e poshtme të avionit, pa pasur nevojë për modifikime strukturore. Falë këtij konfigurimi, A400M mund të kryejë hedhje uji ose lënde retardante me një kapacitet që, sipas prodhuesit, është i krahasueshëm me atë të tre avionëve zjarrfikës Canadair.

Mbrojtja Civile Franceze bëri të ditur se misioni i parë kishte si objektiv krijimin e brezave mbrojtës me lëndë retardante jashtë masiveve pyjore dhe zonës së Bordeaux, për të penguar avancimin e zjarreve drejt rajoneve të banuara.

Përdorimi i A400M konsiderohet një hap i rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve të Francës për përballimin e zjarreve të mëdha, të cilat janë bërë gjithnjë e më të shpeshta për shkak të valëve ekstreme të të nxehtit.

Scroll to Top