Sot protestë: Masat e policisë dhe rrugët që do të bllokohen (Harta)
Partia opozitare do të mbajë të premten protestën e radhës kombëtare. Tubimi i demokratëve do të fillojë përpara Kryeministrisë në orën 19:00.
Policia e Tiranës, përmes një njoftimi, ka paralajmëruar masat që do të ndërmerren gjatë protestës dhe cilat akse rrugore do të bllokohen.
Detaje nga policia:
- Nga ora 23:45 e datës 16.04.2026 deri në përfundim të tubimit: Do të kufizohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”.
- Nga ora 15:00 e datës 17.04.2026 deri në përfundim të tubimit: Do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia e Tiranës u bën thirrje organizatorëve të tubimit të respektojnë afatin kohor dhe vendin e zhvillimit të protestës. Gjithashtu, kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e lëvizjes me automjete dhe u apelon të distancohen në rast se përballen me veprime të kundërligjshme që cënojnë rendin dhe sigurinë publike.
