Protesta e opozitës para Kryeministrisë: Masat e policisë dhe rrugët që do të bllokohen
Opozita do të zhvillojë këtë të premte protestën e radhës kombëtare, ku demokratët do të tubojnë përpara Kryeministrisë në orën 19:00.
Policia e Tiranës, me anë të një njoftimi, ka informuar rreth masave që do të merren gjatë protestës dhe akseve rrugore që do të bllokohen.
Njoftimi i policisë:
Përfaqësues të Partisë Demokratike të Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës për organizimin e një tubimi më datë 17.04.2026, nga ora 19:00 deri në orën 22:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para godinës së Kryeministrisë.
Bazuar në ligjin “Për tubimet”, Policia e Tiranës ka marrë masat e nevojshme për të garantuar mbarëvajtjen e tubimit në vendin dhe afatin kohor të kërkuar.
Në kuadër të këtyre masave, gjatë ditës së sotme dhe nesërme, do të kufizohet lëvizja në disa segmente rrugore:
- Nga ora 23:45 e datës 16.04.2026 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i njohur si “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”.
- Nga ora 15:00 e datës 17.04.2026 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të qarkullimit të automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia e Tiranës i bën apel organizatorëve të tubimit që të respektojnë afatin kohor dhe vendin e caktuar për zhvillimin e protestës. Gjithashtu, kërkon mirëkuptimin e qytetarëve lidhur me kufizimet e lëvizjes me automjete dhe u bën thirrje të distancohen në rast se janë dëshmitarë të veprimeve të kundërligjshme që cënojnë rendin dhe sigurinë publike.
