Titulli: Sipas formulës së Bordit, pas rënies së bursës sot, nafta pritet të ulet në 185 lekë së shpejti
Sipas formulës së Bordit, pas rënies së bursës sot, nafta pritet të ulet në 185 lekë së shpejti.
Bordi i Transparencës vendosi të rrisë sot çmimin e naftës në vend, duke e çuar sërish në 210 lekë nga 207 lekë që ishte më parë. Ky vendim erdhi pasi në bursë, çmimi i gazoil (FOB – pa kosto sigurimi e transporti) arriti në rreth 1320 dollarë për ton ditën e djeshme, çmim i cili reflektohet sot nga Dogana.
Megjithatë, gjatë ditës së sotme, nafta në bursë shënoi një ulje të fortë. Kjo ndodhi pasi Irani deklaroi se kalimi i anijeve tregtare nëpër Ngushticën e Hormuzit do të jetë “plotësisht i hapur” gjatë periudhës së armëpushimit në Liban. Ky njoftim zbuti frikën e tregjeve për ndërprerje të furnizimit në një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë. Treguesi Platts zbriti sot në rreth 1020 dollarë, duke shënuar një tkurrje të ndjeshme nga dita e mëparshme.
Por, sa do të reflektohet kjo ulje në tregun e brendshëm?
Që prej datës 26 mars, çmimet e naftës në vend vendosen nga Bordi i Transparencës, i cili përcakton çmimet sipas një formule të posaçme. Bordi i referohet të dhënave të dërguara nga Dogana lidhur me mbylljen e bursës Platts të datës së mëparshme. Këtij çmimi i shtohet një premio prej 30 dollarë/ton, sipas publikimit të Doganave.
Më pas, shtohen taksat kryesore:
- Taksat e Qarkullimit (27 lekë për litër).
- Akciza (39.4 lekë për litër nëse çmimi final është nën 220 lekë për litër dhe 31.5 lekë nëse çmimi kalon 220 lekë, duke u zbatuar kjo e fundit vetëm për pesë ditë gjithsej).
- Taksat e karbonit (3 lekë për litër).
Mbi të gjitha këto, llogaritet dhe TVSH prej 20%. Krahas këtyre taksave, u shtohen edhe 3 lekë marzh për shumicën dhe 12 lekë për pakicën, ku përfshihen të gjitha kostot e tjera, si pagat, taksat lokale, transporti etj. (shiko tabelën në fund për formulën e çmimit).
Nëse Platts në bursë zbret në rreth 1000 dollarë, atëherë, sipas formulës së Bordit, çmimi me pakicë i naftës duhet të ulet në rreth 185 lekë për litër (shiko tabelën në fund), me një zbritje prej rreth 30 lekësh për litër.
Në dogana, çmimi i ri i Platts reflektohet të shtunën ose të hënën.
Që nga fillimi i aktivitetit, Bordi i Transparencës nuk ka arritur të mbajë nën kontroll çmimin e naftës, por vetëm ka shkaktuar luhatje nga një ditë në tjetrën, siç e tregon dhe grafiku.
Ndërkohë, Shqipëria vijon të ketë jo vetëm naftën më të shtrenjtë në rajon (30-40% më shumë), por hyn në 10 vendet me naftën më të shtrenjtë në botë (e nënta), sipas të dhënave të fundit të Global Petrol Price, që i referohen datës 13 prill.
Barra e lartë e taksave, që arrijnë në gati gjysmën e çmimit, është arsyeja kryesore pse konsumatorët shqiptarë paguajnë naftën kaq shtrenjtë. Ndërkohë, buxheti ka arkëtuar në mars rreth 3.3 milionë euro më shumë TVSH vetëm nga shtrenjtimi i çmimit.
Burimi: Tregu, Bordi pas datës 26 shkurt
