VIDEO/ Minatorët në Ankara ngrihen në protestë, përplasje me policinë. Gaz lotsjellës drejt turmës
Situata u përshkallëzuar sot në Ankara, ku protestat e minatorëve të kompanisë Doruk Madencilik u përballën me ndërhyrjen e forcave të policisë. Forcat e rendit bllokuan marshimin e tyre drejt Ministrisë së Energjisë.
Punëtorët, të cilët ndodhen prej ditësh në grevë urie, kërkojnë pagesën e pagave të prapambetura, kompensime të papaguara dhe njohjen e të drejtave themelore sindikale.
Ata u përpoqën të marshonin drejt Ministrisë së Energjisë dhe Burimeve Natyrore të Turqisë, por u ndaluan nga policia, e cila përdori edhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Gjatë përplasjes, situata u bë e tensionuar: disa minatorë hoqën bluzat në shenjë proteste, përplasën helmetat në tokë dhe brohoritën slogane kundër trajtimit që po u bëhej. Raportohet se disa prej tyre u rrëzuan nga lodhja e grevës, ndërsa tre punëtorë u dërguan në spital me ambulancë.
Sindikata e Pavarur e Minatorëve reagoi ashpër, duke denoncuar kushtet e protestës dhe mungesën e mbështetjes për grevistët. Zëdhënësit e saj deklaruan se punëtorët nuk do të tërhiqen derisa kërkesat e tyre të plotësohen, duke akuzuar autoritetet për trajtim të ashpër dhe mosrespektim të të drejtave të punëtorëve.
Ndër kërkesat kryesore të minatorëve janë:
- Pagesa e menjëhershme e rrogave të prapambetura.
- Rikthimi i të drejtave sindikale.
- Përmirësimi i kushteve të sigurisë në punë.
- Rivendosja në punë e punonjësve të pushuar.
- Ata gjithashtu kërkojnë edhe shtetëzimin e minierës.
Protesta e tyre nisi më 13 prill nga Eskişehir dhe përfundoi me mbërritjen në Ankara pas një marshimi 9-ditor, duke e përshkallëzuar situatën në një nga protestat më të mëdha të minatorëve në vend së fundmi.
Citimet nga Twitter (Bağımsız Maden İş):
- “YA BİZİ ÖLDÜRÜN, YA HAKKIMIZI VERİN! Biz vatan haini değiliz, biz emekçiyiz, biz madenciyiz, biz düşman değiliz! Tüm Ankara halkını Kurtuluş Parkı’na çağırıyoruz!”
- “Madenci alın terini almasın, holdingler servetine servet katsın diye işçiye yapılan muameleyi herkes görsün. Bizi öldürmeye çalışıyorlar.”
