PSG nuk e fitoi Champions League me treshen Mesi-Nejmar-Mbape, ish-trajneri zbulon arsyen
Maurisio Poçetino drejtoi Paris Saint-Germain gjatë sezonit 2021/22, kur skuadra përfshinte yjet Lionel Mesi, Nejmar dhe Kylian Mbape. Pavarësisht potencialit të jashtëzakonshëm, klubi nuk arriti të fitonte Ligën e Kampionëve. Për herë të parë, ata fituan këtë trofe vetëm vitin e kaluar, me Luis Enrique si trajner dhe një përbërje me më pak emra të njohur.
Por pse ky trofe nuk u fitua kur sulmi kryesohej nga kjo treshe spektakolare? Në një intervistë për kanalin në YouTube “We Are The Overlap”, ish-trajneri Poçetino zbuloi mosmarrëveshjet në fushë, sidomos mes Mesit dhe Mbapes.
“Mesi dëshironte ta zhvillonte lojën nga prapavija, ngadalë, me kombinime dhe pasime, pasi ai kishte aftësinë të kontrollonte topin dhe të driblonte kundërshtarë”, kujtoi ai. Megjithatë, ky stil binte ndesh me qasjen e preferuar të Mbapes.
“Nga ana tjetër, Mbape, nëse ne luanim thellë dhe merrnim topin nga prapa, ai kërkonte hapësirë. Ideja ishte t’i jepnim atij topin dhe ta linim të vraponte. Por kur luanim për Mesin, Mbape thoshte: ‘Forca ime është vrapimi’. Nëse do të luanim për Mbapen, nuk do të mund të luanim për Mesin”, deklaroi aktualisht trajneri i kombëtares së Shteteve të Bashkuara.
Mesi iu bashkua klubit në vitin 2021, pas largimit të tij të vështirë nga Barcelona. Siç e pranoi Poçetino, ai gjeti një ambient jo fort mikpritës: “Atmosfera në Francë ishte shumë armiqësore ndaj tij. Ai mbërriti pa asnjë përgatitje parasezonale, pas një goditjeje të fortë emocionale, dhe nuk ishte e lehtë.”
