Lufta në Ukrainë: Putin hapet për dialog, por me kushte; përmend marrëveshje me Trump
Gjatë një bisede me gazetarë perëndimorë në kuadër të Forumit Ekonomik në Shën Petersburg, presidenti rus Vladimir Putin deklaroi gatishmërinë e tij për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe për t’u angazhuar në dialog me Europën. Megjithatë, ai theksoi se ndërmjetësues mund të jenë vetëm persona ose palë neutrale, “të cilëve mund t’u besohet”.
Putin përjashtoi Gjermaninë nga roli i ndërmjetësuesit, duke e kritikuar atë dhe Europën për furnizimin e Ukrainës me armë, çka sipas tij tregon mungesë neutraliteti. “Ndërmjetësimi kërkon neutralitet. Ku është këtu neutraliteti?”, pyeti kreu i Kremlinit, duke shtuar se kushdo që dëshiron të veprojë si ndërmjetës duhet të gëzojë besimin e të dyja palëve në konflikt. Ai shtroi pyetjen retorike: “Si mund t’u besojë Rusia njerëzve që prej vitesh flasin pa pushim se Rusisë duhet t’i shkaktohet një humbje strategjike?”
Presidenti rus këmbënguli në kërkesën e tij për kontroll të plotë rus mbi rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut si kusht paraprak për arritjen e paqes, duke theksuar se kjo nuk bie ndesh me gatishmërinë e shpallur për dialog. “Ne jemi pa dyshim të gatshëm të arrijmë një marrëveshje me Ukrainën!”, deklaroi ai.
Bazën për një marrëveshje të tillë, sipas Putin, e përbëjnë marrëveshjet e arritura në Anchorage, të cilat nuk i specifikoi më tej. Ai shtoi se nëse edhe pala ukrainase pajtohet me këto marrëveshje, konflikti mund të përfundojë shpejt. Presidenti amerikan Donald Trump u takua me Putinin në qytetin Anchorage të Alaskës verën e kaluar, megjithëse pas atij takimi nuk u bënë publike rezultate konkrete.
“Ne jemi plotësisht të gatshëm dhe të vendosur që të arrijmë një marrëveshje me Ukrainën në mënyrë paqësore”, theksoi Putin.
Lidhur me mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Europian, Putin u shpreh se Rusia nuk ka asgjë kundër idesë së një anëtarësimi të asociuar të Ukrainës në BE, një propozim që, sipas tij, është përmendur edhe nga kancelari gjerman Friedrich Merz. Ai sqaroi se Moska nuk i kundërshton lidhjet ekonomike dhe integrimin në kontinentin europian, por “jemi kundër që Bashkimi Europian të shndërrohet në një bllok ushtarak”, duke shtuar se një zhvillim i tillë ngjall shqetësime në Rusi.
