Rama thirret nga GJKKO si dëshmitar në gjyqin e Berishës për dosjen “Partizani”, do të pyetet edhe nga ish-kryeministri dhe dhëndri i tij
Publikuar më 15.04.2026 nga shekulli_admin
Kryeministri Edi Rama do të pyetet si dëshmitar në kuadër të dosjes “Partizani”, një çështje e hapur nga drejtësia për ish-kryeministrin Sali Berisha. Mësohet se kërkesa është pranuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Gjykata ka vendosur gjithashtu që kreu i qeverisë shqiptare të mund të pyetet edhe nga vetë Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje” për këtë dosje.
Kryeministri Rama do të merret në pyetje lidhur me çështjen e privatizimit, duke pasur parasysh se në atë kohë ai mbante postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Ka qenë Sali Berisha ai që ka kërkuar publikisht, por edhe përmes përfaqësuesve të tij ligjorë, që Rama të thirret si dëshmitar në proces. Ky kërkesë nuk u kundërshtua nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), ndërsa GJKKO ka vendosur pro thirrjes së tij.
Dosja “Partizani” ka kaluar për gjykim më 19 maj 2025. SPAK ka ngritur akuzat për “korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë” ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. Dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, është akuzuar për korrupsion, si dhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar në mënyrë të parregullt të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një aktivitet ndërtimi, falë vendimeve të qeverisë të miratuara nga vjehrri i tij.
Tani mbetet për t’u parë nëse kryeministri Rama do të paraqitet fizikisht në proces gjyqësor apo jo.
