Protestuesit kërkojnë dorëheqjen, Rama: Nuk më shkon në mendje, nuk kam kontratë me “sorrat”
TIRANË – Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me protestën e vazhdueshme prej dy muajsh para zyrës së tij, duke u shprehur se ajo tani ka mbetur në dorë të “sorrave”. Rama thekson se komentet e tij të mëparshme i drejtoheshin qytetarëve që iu bashkuan protestës në fazat fillestare. Ai shtoi se nuk ka asnjë detyrim për t’iu përmbushur kërkesat personave që aktualisht protestojnë përballë Kryeministrisë, pasi këta të fundit nuk e kanë votuar.
Sipas kryeministrit, kushdo është i lirë të protestojë, madje edhe deri në vitin 2029, por kontrata e tij është me të gjithë qytetarët që e kanë votuar dhe që presin një qeverisje më të mirë nga socialistët.
Reagimi i fortë i Ramës:
Rama ka deklaruar se merr mesazhe të ndryshme nëpërmjet platformave si “WhatsApp”, si nga miq ashtu edhe nga të panjohur, të cilët ai i cilëson si “muhabete sorrash e korbash”, pas deklaratës së tij për “Bulevardin e Flamingove”. Ai ka dëgjuar edhe një koment origjinal nga protesta, ku pretendohet se protestuesit thonë se nuk duan “dialog”, nuk ka “negociata” dhe nuk japin “besë”, por kërkojnë vetëm dorëheqjen e tij.
Kryeministri sqaron se bëhet fjalë për një keqkuptim. Ai thekson se asnjë prej protestuesve aktualë nuk e ka votuar dhe se nuk ka asnjë kontratë me ta. Ai shton se nuk i ka shkuar kurrë ndërmend të prishë kontratën me 800 mijë shqiptarë, përfshirë edhe ata që ai i quan “flamingo”.
Rama sqaron se deklarata e tij e mëparshme, ku përmendi flamingot, i drejtohej mësimeve që nxori prej tyre dhe jo “puplave të zeza” që mblidhen çdo natë në bulevard, pas largimit të tyre. Ai pranon se në atë deklaratë përfshiu edhe “sorrat dhe korbat” për të treguar anën negative të protestës, por jo se këto kafshë kanë rol në mësimet apo detyrimet e nxjerra prej tyre.
“Prandaj, sorrat dhe korbat as të lodhen të refuzojnë ‘BESËN’, sepse BESA jonë nuk ka lidhje me ta. As të rreshtin së ardhur poshtë dritares sime me kërkesën për dorëheqje deri në vitin 2029, nëse duan!”, vijon Rama. Ai thekson se liria dhe demokracia funksionojnë njësoj për të gjithë. “Ndërsa kontrata ime me shqiptarët nuk varet nga ata, por është pronë e të gjithë atyre me të cilët e kam nënshkruar, si edhe gur themeli i jetës demokratike,” përfundon ai.
