Rama vs. Reporterët pa Kufij: Liria e Medias dhe Politika

“`html

Historiku/ Pse Rama iu rikthye përplasjes me “Reporterët pa kufi”

Kryeministri anashkalon ekzistencën e pesë familjeve mediatike që ushqehen me leje ndërtimi dhe avantazhe publike.

Edi Rama i është kthyer pas katër vitesh përplasjeve verbale me “Reporters sans frontieres”, organizatën që prej një çerek shekulli kryen klasifikimin e lirisë së mediave në afro 200 shtete të botës.

Nëse në vitin 2022, kur Shqipëria u rendit e 103-ta në botë, kryeministri i quajti ata gënjeshtarë dhe fantazistë, duke nënvizuar se media këtu duhet akuzuar jo për mungesë lirie, por për lirinë për të shpifur, kësaj radhe, pasi Shqipëria humbi tre vende në klasifikim (duke u renditur e 83-ta), ai filloi një tjetër kryqëzatë.

Arsyet e Ramës ishin disa:

  • Së pari, sepse klasifikimi i “Reporterëve pa kufij” merret shumë për bazë në Bruksel, ku çështje si ajo e lirisë së mediave mbeten një kolonë kyçe në rrugën e integrimit. Si krahasim, Mali i Zi, me të cilin jemi në “garë” drejt BE-së, renditet 40 vende para nesh.
  • Së dyti, sepse ky klasifikim i Shqipërisë është i dobët si shkak i një fenomeni që nuk vërehet në asnjë vend të Ballkanit Perëndimor. Sipas raportit të RSF-së, sistemi mediatik shqiptar është i përqëndruar në duart e katër-pesë familjeve, të cilat marrin avantazhe publike (leje ndërtimi, investitorë strategjikë) duke i detyruar pronarët e tyre të ushtrojnë censurë mbi gazetarët. Pra, përshkrimi që “Reporterët” bëjnë për sistemin e propagandës rilindase, e nxjerr atë zbuluar.

Megjithatë, në vend që të merrej me thelbin e problemit, kryeministri u përqëndrua te detaje dytësore. Fillimisht ai botoi një status ku sillte në vëmendje një tjetër raport të SIGMA-OECD, ku MIA (Agjencia për Media dhe Informim pranë zyrës së Ramës) vlerësohej për shërbimin cilësor ndaj mediave dhe publikut.

“Reporters sans frontieres” u përgjigjën: “Ne masim lirinë e medias, jo komunikimin e qeverisë. Renditja e Shqipërisë në vendin e 83-të (-3) në Indeksin e vitit 2024 pasqyron sulme politike, abuzim me zbatimin e ligjit, transparencë të ulët të medias dhe kërcënime ndaj gazetarëve.”

Rama vazhdoi sërish me statistikat e një start-up-i shqiptar, ku llogaritej se në mediat vendase dëgjimi i zërit opozitar është 3.57 herë më i lartë se ai i qeverisë. “Në një mjedis vërtet ‘me media të kapura’, asgjë nga këto nuk do të ekzistonte. As dominimi i zërave të opozitës. As mbizotërimi dërrmues i narrativave kritike. As qarkullimi i lirë i akuzave ekstreme. Dhe sigurisht, jo shumica e hapësirës politike televizive për opozitën”, konkludonte Rama.

Ai megjithatë e kaloi me një togfjalësh të vetëm çështjen e pronësisë së televizioneve të mëdhenj, të cilat kontrollohen nga pronarë të ushqyer me leje ndërtimi dhe liçensa publike. Natyrisht, këtu qëndron thelbi i problemit. Ajo që ndoshta “Reporterët…” nuk e dinë, por që publiku shqiptar e ka dëgjuar me zë dhe figurë pas zbardhjes së çdo skandali, është se mediat e pushtetit paguhen me paratë e korrupsionit, me reklamën fiktive nga inceneratorët për zgjedhje, nga “çunat” e Ballukut që dorovisin për mediat, nga Erion Veliaj që shfaqej në inaugurime ndërkohë që po arrestohej.

Pikërisht argumentimi që “Reporters sans frontieres” i bën rrokullisjes së Shqipërisë në klasifikim lidhet me këtë realitet. Prandaj Edi Rama i është kthyer toneve të katër viteve më parë në përplasjen me ta. Për të thënë të vërtetën, ai i ka përdorur të dyja mjetet: edhe shkopin edhe karrotën.

Një vit, pasi “Reporters sans frontieres” e kishin renditur Shqipërinë në vendin e 103-të, duke e degraduar plot 20 shkallë në klasifikim, pra në vitin 2023, Rama mori avionin privat dhe shkoi të takonte personalisht Sekretarin e Përgjithshëm të “Reporters sans Frontieres”, të ndjerin Christophe Deloire. Strategjia e tij ishte që t’i kërkonte bashkëpunim duke u sjellë edhe vetë si viktimë e mediave që kontrolloheshin nga oligarkë dhe që i bënin presion edhe atij vetë. Ai propozoi projekte të përbashkëta, me financim nga BE-ja, që të bëhej një rregullim i gjendjes së mediave në vend.

Nuk dihet nëse kjo nismë, për të cilën u hartua edhe një dokument dhe u bë gati plani i punës, dha efektin e saj, por vitin pasardhës Shqipëria u ngrit ndjeshëm në renditje. Gjithsesi, projekti i përbashkët nuk pati jetën e gjatë, si për faktin se Christophe Deloire u nda në mënyrë të papritur nga jeta, po ashtu edhe se ai hasi në rezistencën e fortë të gazetarëve shqiptarë. Plani për të pasur një projekt bashkëpunimi mes tyre dhe qeverisë u rrëzua.

Ndaj, këtë vit, kur Shqipëria ka degraduar sërish në klasifikim, Rama i është kthyer gjuhës së vitit 2022. Ai e ka hedhur poshtë klasifikimin e organizatës që bën matjen e lirisë së medieve në afro 200 shtete të botës, ndoshta duke pritur një oportunitet të ri, për të përdorur metodat ku ndihet vërtet se ka talent.

“`

Scroll to Top