Rrezik 700M€ nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor

Marta Kos paralajmëron vendet e Ballkanit Perëndimor: Rrezikohen mbi 700 milionë euro nga Plani i Rritjes. Ja sa mund të humbasë Shqipëria

Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, u ka dërguar një paralajmërim me shkrim gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sipas burimeve të Radio Evropa e Lirë (REL) nga Komisioni Evropian (KE), këto vende rrezikojnë të humbasin kolektivisht mbi 700 milionë euro nga Plani i Rritjes deri në mesin e këtij viti, për shkak të moszbatimit të reformave të nevojshme.

Letra, e dërguar më 17 prill drejt të gjitha kryeqyteteve të rajonit, u kërkon vendeve të përshpejtojnë reformat e parashikuara në Planin e Rritjes, në mënyrë që të shfrytëzojnë plotësisht potencialin e kësaj pakoje financiare. Mjetet financiare nga ky plan janë të kufizuara në kohë, me afate përfundimtare të caktuara për secilin hap reformues dhe shumë parash të ndara përkatëse.

KE-ja ka parashikuar edhe një “periudhë grejs” për shtyrjen e zbatimit. Megjithatë, afati përfundimtar për hapat që duhej të përmbusheshin në mesin e vitit 2025 skadon më 30 qershor të këtij viti, ndërsa për hapat e planifikuar për fundin e vitit 2024, afati përfundon gjatë vitit 2026.

“Nëse nuk përmbushen, partnerët rrezikojnë të humbasin kolektivisht mbi 700 milionë euro,” konfirmoi për REL një zyrtar i KE-së.

Pesë shtete të rajonit, me përjashtim të Bosnjë e Hercegovinës, kanë marrë tashmë këstin e parë ose disa fonde nga Plani i Rritjes. Bosnja dhe Hercegovina është vonuar me miratimin e agjendës reformuese.

Fundi i qershorit të këtij viti është momenti vendimtar për secilin vend për të shmangur humbjen e përhershme të fondeve, nëse nuk i përmbush reformat e dakorduara.

Sipas burimeve nga Brukseli, humbjet e mundshme sipas shteteve, në rast se nuk ndërmerren të gjitha reformat, janë:

  • Kosova: 68.8 milionë euro
  • Shqipëria: 67.7 milionë euro
  • Bosnja dhe Hercegovina: 373.9 milionë euro
  • Mali i Zi: 15.1 milionë euro
  • Maqedonia e Veriut: 49.2 milionë euro
  • Serbia: ndërmjet 108.7 dhe 135.9 milionë euro

Bazuar në shumën maksimale, totali i humbjeve mund të arrijë në 710.6 milionë euro, që përfaqëson 11.84% të financimit total nga Plani i Rritjes.

Pakoja e BE-së për Ballkanin Perëndimor, për periudhën 2024-2027, është në vlerë të 6 miliardë eurove. Kosova, me një përfitim prej rreth 882 milionë euro (253 milionë grante dhe 629 milionë kredi), përfiton më së shumti fonde për kokë banori në rajon.

Më 16 prill, Kosova mori 61.8 milionë euro parafinancim, pasi dorëzoi dokumentet e nevojshme në KE dhe ratifikoi marrëveshjet.

Ky plan, ndër të tjera, synon të dyfishojë ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor gjatë dhjetë viteve të ardhshme. /REL

Scroll to Top