Rritje 125% e depozitimeve në ATM: Shqipëria drejt automatizimit

Depozitimet e parave në ATM u rritën me 125% në tremujorin e parë të vitit

Depozitimi automatik i parave në bankomatë (ATM) ka shënuar një rritje të konsiderueshme në tremujorin e parë të vitit. Sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, periudha janar-mars e këtij viti regjistroi gjithsej 676 mijë depozitime të parasë në ATM. Ky numër përfaqëson një rritje prej 125% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Vlera totale e depozitimeve për tremujorin e parë arriti në 33.4 miliardë lekë, duke u rritur me 146% krahasuar me vitin e mëparshëm.

Tendenca drejt automatizimit të shërbimeve bankare, veçanërisht ato që lidhen me paratë kesh, duket të jetë konsoliduar. Edhe në vitin e kaluar, depozitimet e parave kesh në ATM shënuan një rritje të fortë.

Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në vitin 2025, klientët e sistemit bankar kryen rreth 2.2 milionë depozitime në ATM. Numri i depozitimeve u rrit me 109% krahasuar me një vit më parë, ndërsa vlera totale e tyre arriti në 104.8 miliardë lekë, një rritje prej gati 110%.

Numri i bankomatëve me funksion depozitimi paraje fizike po rritet gjithashtu, duke dëshmuar investimet për automatizimin e shërbimeve bankare. Në fund të marsit 2026, numri i ATM-ve me funksion depozitimi arriti në 454, nga 430 në fund të vitit të kaluar dhe 408 në fund të tremujorit të parë të vitit 2025. Rreth 40% e totalit të ATM-ve në vend ofrojnë shërbimin e depozitimit të parave kesh.

Ky zhvillim, veçanërisht duke pasur parasysh përdorimin e lartë të parasë kesh në ekonominë shqiptare, ndihmon në lehtësimin e ofrimit të shërbimeve bankare dhe në efikasitetin e stafit njerëzor të bankave, duke i mundësuar atyre t’i kushtohen rasteve ku prania e tyre është më e domosdoshme.

Automatizimi i proceseve operacionale të thjeshta rrit efikasitetin e bankave dhe mundëson angazhimin e burimeve njerëzore në procese më komplekse.

Në fund të marsit 2026, sektori bankar shqiptar ofronte shërbime nëpërmjet 1147 ATM-ve aktive, një rritje prej 8% krahasuar me një vit më parë. Rritja në vitet e fundit është nxitur veçanërisht nga ATM-të e vendosura në zonat turistike, të cilat synojnë kryesisht ofrimin e shërbimit të tërheqjes së parave kesh për turistët e huaj.

Këto ATM-të zakonisht operohen në partneritet me biznese të tjera, duke përfshirë kompanitë që tregtojnë pajisjet. Në këtë model, banka ofron infrastrukturën bazë të pagesave, kontabilizimin dhe paratë kesh, ndërsa institucionet financiare ofrojnë pajisjen ATM, mbulojnë kostot operacionale (transport, rimbushje, siguracion paraje) dhe menaxhojnë marrëdhëniet me bizneset për qiratë.

Të ardhurat ndahen në bazë të kostove të secilës palë.

Scroll to Top