“`html
Shqipëria, më e shtrenjtë se Europa edhe për veshjet
Çmimet e veshjeve në Shqipëri kanë hyrë në një fazë të re shtrenjtimi. Sipas të dhënave të Eurostat, vitin e kaluar çmimet e veshjeve në Shqipëri kanë tejkaluar mesataren e Bashkimit Europian.
Konkretisht, çmimet e veshjeve në vendin tonë ishin 5,5% më të larta se mesatarja e BE-së vitin e kaluar. Indeksi i çmimeve të veshjeve sipas fuqisë blerëse në Shqipëri shënoi 105.2% në raport me mesataren e BE-së (ku BE=100%).
Me këtë rritje, Shqipëria renditet ndër 11 vendet e Europës me çmimet më të larta të veshjeve, duke u konsideruar sipas fuqisë blerëse. Vendet më të shtrenjta se Shqipëria janë kryesisht shtete shumë të zhvilluara si Zvicra, Irlanda, Danimarka, Suedia, Finlanda dhe Norvegjia.
Artikulli thekson se artikuj si bluza apo pallto, të cilat më parë konsideroheshin relativisht të lira krahasuar me Europën, tashmë po tejkalojnë çmimet e tregjeve më të zhvilluara. Shqipëria ka kaluar nga një nivel çmimesh dukshëm më të ulët drejt një konvergjence të shpejtë me Europën.
Rreth katër vite më parë, indeksi për veshjet në Shqipëri ishte rreth 96.5% e mesatares së BE-së, ndërsa më pas ra edhe më poshtë në rreth 90.7% në vitin 2023. Megjithatë, në vitet pasuese, ky trend u përmbys me shpejtësi, duke u rikthyer në 105.2% në vitin 2025.
Të dhënat tregojnë se brenda një viti, Shqipëria ka kaluar nga një treg relativisht i lirë për veshjet në një treg ku çmimet jo vetëm janë barazuar me mesataren e BE-së, por e kanë tejkaluar atë. Sipas renditjes së Eurostat, Shqipëria konsiderohet nga vendet më të shtrenjta të Ballkanit dhe Europës për veshjet.
Historikisht, Mali i Zi ka pasur çmimet më të larta në rajon, ndërsa Maqedonia e Veriut më të ulëtat. Para 10 vitesh, Shqipëria ishte në një pozicion të favorshëm me rreth 50% të mesatares së BE-së, por në vitet e fundit është zhvendosur, duke u bërë më e shtrenjta në Rajon në vitin 2025 dhe një ndër më të shtrenjtat në Europë.
Shqipëria nuk është prodhuese e veshjeve për tregun vendas, pasi shumica e mallrave importohen. Krizat globale të viteve të fundit kanë ndikuar zinxhirët e furnizimit, të cilët ende nuk janë kthyer plotësisht në normalitet. Gjithashtu, rritja e të ardhurave të disponueshme për një segment të caktuar të popullsisë dhe ndryshimi i sjelljes së konsumatorit kanë nxitur një kërkesë më të lartë për marka dhe produkte me cilësi e çmim më të lartë.
Nga ana tjetër, edhe kostot e brendshme janë rritur, si qiratë e dyqaneve dhe pagat, duke bërë që një pjesë e këtyre shpenzimeve të përfshihen në çmimet fundore. Ndërsa Shqipëria afrohet ekonomikisht me Europën, çmimet po priren të barazohen më shpejt se të ardhurat.
“`
