Sfidat e Kadastrës: Vonesa dhe Tarifa të Përsëritura

Anketa e Këshillit të Investimeve: Regjistrimi i ndërtimeve të reja, shërbimi më sfidues në Kadastër

Procedurat për regjistrimin përfundimtar të ndërtimeve të reja, bashkimin ose ndarjen e pronave, si dhe verifikimi online i statusit juridik të pronësisë, janë shërbimet që paraqesin më shumë vështirësi për bizneset në marrëdhëniet me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK). Kjo rezulton nga raporti më i fundit i Këshillit të Investimeve, i titulluar “Siguria Juridike e Pronës: Progresi dhe Sfidat”.

Sipas anketës së realizuar me përfaqësues të bizneseve, shërbimi më problematik është regjistrimi përfundimtar i ndërtimeve të reja. Këtë e ndjekin regjistrimi për bashkimin ose ndarjen e pasurive, verifikimi online i gjendjes juridike të pronësisë, regjistrimi i lejeve të ndërtimit dhe lëshimi i certifikatave të pronësisë. Në anën tjetër, procedurat si regjistrimi i kontratave të qirasë, shitjes apo hipotekave konsiderohen më pak problematike nga sektori privat.

Raporti thekson se dy shërbimet më sfiduese karakterizohen nga procedura komplekse, me shumë hapa administrativë dhe nevojë për sinkronizim të vazhdueshëm të të dhënave, gjë që i bën ato më të ndjeshme ndaj vonesave dhe mospërputhjeve. Verifikimi online, nga ana tjetër, lidhet kryesisht me kufizime në proceset e digjitalizimit dhe aksesin në të dhënat kadastrale.

Megjithëse reforma e Kadastrës ka sjellë përparim të konsiderueshëm vitet e fundit, raporti vë në dukje se problematikat e trashëguara lidhur me pronësinë vazhdojnë të ndikojnë negativisht në klimën e investimeve. Këshilli i Investimeve rikujton se siguria juridike e pronës është një kusht themelor për rritjen ekonomike, tërheqjen e investimeve, aksesin në kredi dhe zhvillimin e tregut të pasurive të paluajtshme. Problemet e vazhdueshme me mbivendosjen e titujve të pronësisë, regjistrimet e paplota dhe dokumentacionin historik të fragmentuar krijojnë pasiguri për bizneset dhe investitorët.

Raporti evidenton përparimin e dukshëm të Shqipërisë në digjitalizimin e sistemit kadastral. Të gjitha shërbimet kadastrale ofrohen online përmes platformës e-Albania që nga viti 2020. Është ngritur Qendra e Kadastrës Digjitale dhe të dhënat janë integruar me sistemet e gjendjes civile dhe noterisë. Përdorimi i teknologjive të reja është zgjeruar dhe janë ofruar shërbime të përshpejtuara. Megjithatë, bizneset vlerësojnë se përfitimet e digjitalizimit nuk janë reflektuar plotësisht në praktikë.

Një pjesë e konsiderueshme e tyre kërkojnë akses më të gjerë në të dhënat kadastrale. Sipas anketës, 46% e kompanive mendojnë se, përveç noterëve, edhe aktorë të tjerë si bankat dhe ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme duhet të kenë akses në databazën e ASHK-së, me miratimin e pronarit, për të verifikuar paraprakisht statusin e pronës.

Një nga problemet më të theksuara është pagesa e përsëritur e tarifave. Rreth 61% e kompanive deklarojnë se kanë paguar më shumë se një herë për të njëjtin shërbim kadastral. Më shqetësues është fakti se 84% e këtyre rasteve lidhen me problematika që bizneset ia atribojnë vetë ASHK-së, duke përfshirë informacion të paqartë, kërkesa shtesë për dokumentacion pas aplikimit dhe ndryshime procedurale gjatë procesit.

Raporti tregon gjithashtu se procedurat nuk perceptohen njësoj nga të gjithë përdoruesit. Ndërsa noterët dhe profesionistët e fushës i konsiderojnë proceset relativisht të thjeshta, 38% e bizneseve të tjera raportojnë se procedurat janë të vështira për t’u ndjekur dhe kërkojnë asistencë nga ekspertë.

Problemet me pronësinë po ndikojnë drejtpërdrejt edhe në investime. Sipas anketës, 61% e kompanive raportojnë se kanë përjetuar vonesa ose nuk kanë mundur të realizojnë investimet e planifikuara për shkak të proceseve të regjistrimit të pronave ose pasaktësive në dokumentacionin e ofruar nga ASHK. Në shumë raste, pasiguria mbi titujt e pronësisë e bën të vështirë përdorimin e pronës si kolateral apo avancimin e projekteve të reja investuese.

Raporti vlerëson se, megjithëse 91.5% e zonave kadastrale kanë përfunduar regjistrimin fillestar dhe rreth 90% e regjistrave manualë janë digjitalizuar, procesi ende nuk është mbyllur plotësisht. Deri në mars 2026 mbeteshin mbi 450 mijë regjistra për t’u digjitalizuar dhe 259 zona kadastrale për t’u regjistruar, çka vijon të krijojë boshllëqe në sigurinë juridike të pronës.

Këshilli i Investimeve identifikon shtatë fusha prioritare për ndërhyrje:

  • Rritjen e aksesit në kadastrën digjitale.
  • Standardizimin e procedurave dhe listave të kontrollit.
  • Monitorimin e performancës së shërbimeve.
  • Forcimin e transparencës dhe llogaridhënies.
  • Përmirësimin e cilësisë së të dhënave të pronës.
  • Koordinimin ndërinstitucional.
  • Përafrimin më të mirë të çmimeve administrative të tokës me realitetin e tregut.

Ndër rekomandimet kryesore përfshihen zgjerimi i aksesit në të dhënat kadastrale për sektorë të tjerë profesionalë, publikimi i metodologjisë së tarifave, përmirësimi i komunikimit me përdoruesit, standardizimi i dokumentacionit dhe zbatimi më rigoroz i masave të integritetit dhe antikorrupsionit në ASHK.

Raporti është përgatitur nga Sekretariati i Këshillit të Investimeve dhe bazohet në një anketë online të zhvilluar në mars 2026 me 146 biznese të përzgjedhura rastësisht dhe të plotësuara në mënyrë anonime, si dhe në konsultime me ASHK-në, organizata biznesi, ekspertë dhe institucione të tjera publike e private.

Scroll to Top