“`html
22.700 të huaj të punësuar në Shqipëri, kryesojnë ata me prejardhje nga Filipinet, India dhe Egjipti
Shqipëria ka shënuar një rekord në punësimin e shtetasve të huaj, duke arritur mbi 22 mijë persona deri në qershor 2026, krahasuar me 18 mijë në dhjetor 2025.
Sipas të dhënave të Regjistrit Elektronik për të Huajt (FER), të dhëna për Monitor nga Policia e Shtetit, numri i të huajve të punësuar në vend arriti në 22.693 shtetas deri në datën 30 qershor 2026. Nga totali, 20.332 shtetas të huaj janë pajisur me leje Unike si punëmarrës, ndërsa 2.361 shtetas të huaj janë regjistruar me leje unike si të vetëpunësuar.
Listën e të huajve të pajisur me leje unike si punëmarrës e kryesojnë shtetasit nga Filipinet, India dhe Egjipti. Këto vende së bashku kanë 10.258 leje unike për punëmarrës, duke përbërë rreth 50% të totalit të të punësuarve të huaj në vend.
Specifikisht, numri i të huajve nga Filipinet deri në Qershor 2026 arriti në 3.552 shtetas të pajisur me leje pune, duke përbërë rreth 16% të totalit. Pas tyre vijnë shtetasit nga India me 3.423 të punësuar, ose 15% e totalit. Shtetasit nga Egjipti numërohen në 3.283.
Pas këtyre vendeve, renditen Turqia me 1.503 leje unike për punëmarrës dhe Italia me 1.306 leje. Të tjera vende me numër më të lartë të punëmarrësve të huaj me leje unike përfshijnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 619 leje, Indonezia me 229 shtetas dhe Kina me 212 shtetas.
Vitet e fundit, shumë sipërmarrës, veçanërisht në sektorin e shërbimit të bareve dhe restoranteve, kanë raportuar një rritje të ndjeshme të punësimit të shtetasve nga Filipinet dhe India. Shumë nga këta shtetas punësohen në role si kamarier, pastrues apo kuzhinierë. Punësime të tjera zhvillohen në fabrikat e prodhimit, ku po angazhohen inxhinierë të rinj nga India. Ndërkohë, shtetasit nga Egjipti gjejnë më tepër punësim në sektorin e transportit, blegtorisë dhe agroturizmit.
Po ashtu, punësimi i të huajve është zgjeruar edhe në familje. Shtetase nga Filipinet punësohen si personel për kujdesin ndaj fëmijëve (dado), të moshuarve ose për mirëmbajtjen e shtëpisë.
Ndryshe nga lejet unike për punëmarrës, të cilat dominohen nga shtetasit e Filipineve, Indisë dhe Egjiptit, lejet unike për të vetëpunësuar kryesohen nga shtetasit italianë. Nga gjithsej 2.361 leje unike për të vetëpunësuar, 868 i përkasin shtetasve italianë, ose rreth 37% e totalit. Pas Italisë renditet Kosova me 283 leje, e ndjekur nga Turqia me 199, SHBA me 198, Ukraina me 92, Siria me 68, Gjermania me 67 dhe Polonia me 65 leje unike për të vetëpunësuar.
“`