Shqiptari kundërshton ekstradimin nga Anglia në Itali, duke pretenduar kushte të papërshtatshme burgimi
Një shtetas shqiptar, i dënuar në Itali për trafik droge, po kundërshton ekstradimin e tij nga Anglia, duke argumentuar se kushtet e burgjeve italiane, konkretisht mungesa e ujit të ngrohtë, cenojnë të drejtat e tij themelore sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).
Maringlen Qefalia, 41 vjeç, u dënua në Itali me pesë vjet burg për trafikim të 1.5 kg kokainë dhe autoritetet italiane kërkojnë ekstradimin e tij për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit. Qefalia, i cili dyshohet se është arratisur drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe ka hyrë ilegalisht në vitin 2022, po përpiqet të bllokojë ekstradimin duke u bazuar në nenin 3 të KEDNJ-së, i cili ndalon torturën dhe trajtimin çnjerëzor ose degradues.
Gjatë procedurave të ekstradimit, Qefalia nuk dëshmoi personalisht, por mbështeti argumentin e tij me deklaratat e Alessio Scandurra-s, një aktivist dhe studiues me përvojë 30-vjeçare në organizatën Antigone. Scandurra vuri në dukje se shumë qeli në burgjet italiane nuk plotësojnë standardet minimale të hapësirës, me disa prej tyre, ish-manastire ose godina ushtarake të rikonstruktuara, që mund të kenë qeli më të vogla se 9 metra katrorë, sa kërkohet për një të burgosur.
Ai shtoi se në burgjet me mbipopullim të lartë, hapësira efektive për të burgosurin mund të bjerë ndjeshëm nën standardin e kërkuar. Gjithashtu, në disa qeli janë instaluar krevate me tre shtretër, ku shtresa e sipërme është shumë pranë tavanit, duke kufizuar lëvizjen. Scandurra theksoi gjithashtu se furnizimi me ujë të ngrohtë është “i paqëndrueshëm” dhe qelitë mund të mbinxehen gjatë verës, duke shtuar se mungesa e ventilatorëve në shumë qeli përkeqëson situatën.
Nga ana tjetër, Adam Squibbs, përfaqësues i shtetit italian, argumentoi se edhe në kushtet më të këqija, qelitë do të përmbushnin rregulloret minimale. Ai pohoi se kushtet materiale nuk përbëjnë shkelje të nenit 3 të KEDNJ-së, madje as mungesa e ujit të ngrohtë nuk konsiderohet shkelje.
Gjykatësi, nga ana e tij, u shpreh se provat lidhur me temperaturat dhe ujin e ngrohtë janë të paqarta dhe jo specifike. Ai shtoi se nuk ekziston rrezik real për shkelje të nenit 3, duke refuzuar kështu kërkesën për garanci apo informacion shtesë.
