Shtyrja e Dëshmisë së Noizy-t në Gjyqin ndaj Laert Haxhiut

U shty dëshmia e reperit “Noizy” në gjyqin ndaj Laert Haxhiut

Seanca gjyqësore në Gjykatën e Posaçme të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku reperi Rigels Rajku, i njohur si “Noizy”, duhej të dëshmonte lidhur me procesin ndaj grupit të Laert Haxhiut, është shtyrë për në datën 13 maj.

Në të njëjtin proces, pritet të dëshmojë edhe babai i “Noizy-t”, Bashkim Rajku.

Shkak për shtyrjen e seancës është bërë mungesa e dy avokatëve.

Ngjarja për të cilën pritet të dëshmojnë lidhet me një shpërthim me rreth 100 gramë tritol në biznesin e reperit në qershor të vitit 2022. Shpërthimi shkaktoi dëme të mëdha materiale në dyqanin e veshjeve dhe lokalin në pronësi të tij, të cilat ndodhen në katin e parë dhe të dytë të një pallati pranë zonës bregdetare të Durrësit. Lënda plasëse ishte vendosur në murin e jashtëm të biznesit dhe ishte ndezur me fitil.

Hetimet e kryera nga Prokuroria Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), bazuar edhe në rrëfimin e personit të përfituar nga statusi i të penduarit, Artan Tafani, zbuluan se vendosja e tritolit ishte urdhëruar nga Laert Haxhiu. Ky i fundit dyshohet se e ka bërë këtë si kundërpërgjigje për dhunimin e shokut të tij, Kleviol Ahmeti, i njohur si CLLEVIO, nga ana e “Noizy-t” dhe miqve të tij.

Scroll to Top