Bankat vlerësojnë goditjet nga jashtë si rrezikun kryesor, ndërkohë që shqetësimi për çmimet e pronave vazhdon.
Sipas një vrojtimi të kryer nga Banka e Shqipërisë, bankat i konsiderojnë rrezikun e goditjeve nga jashtë dhe përkeqësimin e ekonomisë së brendshme si dy rreziqet kryesore për sistemin financiar në vend për gjysmën e dytë të vitit 2025.
Pasiguria e lartë ekonomike dhe gjeopolitike gjatë vitit 2025 ka rritur shqetësimin e bankave lidhur me transferimin e goditjeve nga jashtë. Ky rrezik mbetet më i rëndësishmi i periudhës, megjithëse me një vlerësim disi më të zbutur krahasuar me periudhën janar-qershor 2025. Banka e Shqipërisë parashikon se rritja e tensioneve gjeopolitike në fillim të vitit 2026 mund të ndryshojë sërish perceptimin e sektorit bankar mbi këto rreziqe.
Rreziku lidhur me luhatjen e vlerës së pasurive të paluajtshme mbetet në grupin e rreziqeve kryesore, duke u renditur i treti për periudhën në fjalë. Dinamikat e viteve të fundit në tregun e pasurive të paluajtshme dhe rritja e vazhdueshme e çmimeve kanë shtuar shqetësimin e bankave për ecurinë e ardhshme të tregut, duke pasur parasysh ekspozimin e një pjese të konsiderueshme të portofoleve të kredisë ndaj këtij sektori. Kjo ka reflektuar një rritje të shpejtë të vlerësimit të këtij rreziku gjatë vitit 2025, por me një prirje në rënie në gjysmën e dytë të vitit.
Rreziku nga sulmet kibernetike vazhdon të perceptohet si një ndër më të rëndësishmit, megjithatë vlerësimi i tij është zbutur në gjysmën e dytë të vitit 2025. Pavarësisht rritjes së rrezikut kibernetik vitet e fundit, për shkak të digjitalizimit të aktivitetit bankar dhe sulmeve ndaj infrastrukturës shtetërore, është rritur edhe ndërgjegjësimi i sektorit bankar. Shumica e bankave kanë marrë masa për përmirësimin e sistemeve mbrojtëse, duke kontribuar në zbutjen e perceptimit mbi rëndësinë sistemike të këtij rreziku.
Perceptimi mbi rreziqet e tregut, si luhatja e kursit të këmbimit, ndryshimi i normave të interesit dhe mungesa e likuiditetit, ka mbetur në nivele minimale ose në rënie. Rreziku nga luhatja e kursit të këmbimit, konkretisht forcimi i Lekut kundrejt Euros, edhe pse mbetet në grupin e rreziqeve kryesore, duket se është zbutur nga niveli “mesatar” në “të ulët”, çka mund të tregojë stabilizimin e këtij treguesi në një ekuilibër të ri.
Bankat vlerësojnë se mundësia e materializimit të rreziqeve është e ulët në afatin e shkurtër, por rritet me zgjatjen e afateve kohore. Për periudhën afatshkurtër (deri në një vit), mundësia e materializimit të rreziqeve të përmendura vlerësohet nën nivelin mesatar dhe ky perceptim ka mbetur i pandryshuar nga gjysma e parë e vitit. Ndërsa për periudhën afatmesme (1-3 vjet), ky perceptim shfaqet më i lartë dhe në rritje.
Duke pasur parasysh përshkallëzimin e tensioneve gjeopolitike në tremujorin e parë të vitit 2026 dhe efektet e mundshme zinxhir, panorama e rreziqeve sistemike dhe perceptimet mbi to pritet të ndryshojnë në periudhat në vijim. Megjithatë, situata financiare e qëndrueshme e sektorit bankar dhe likuiditeti i bollshëm kanë mbajtur besimin e bankave në qëndrueshmërinë e sistemit financiar në të ardhmen mbi nivelin mesatar dhe të pandryshuar.
