Si ndikon Kombëtarja te vlera e futbollistëve shqiptarë?

Vëzhgimi i “Panorama Sport”/ Ndikimi i Kombëtares në vlerën e futbollistëve kuqezi në treg

Shqipëria ka pasur ndër vite një numër të konsiderueshëm lojtarësh që kanë veshur fanellën kuqezi. Disa prej tyre janë bërë kontribues të pandërprerë për ekipin kombëtar, ndërsa të tjerë kanë pasur periudha më të shkurtra ose nuk kanë debutuar kurrë, pavarësisht grumbullimit.

Përveç përfitimeve që ka pasur skuadra nga këta lojtarë, edhe vetë futbollistët kanë përfituar nga mundësia për të luajtur për Shqipërinë. “Panorama Sport” ka analizuar rastet e lojtarëve, vlera e të cilëve është ndryshuar pas debutimit me fanellën kuqezi, ku shumica prej tyre kanë shënuar rritje.

Rritja e vlerës pas debutimit me Kombëtaren

Rritja e vlerës së lojtarëve pas debutimit me Kombëtaren është një tregues i qartë i ndikimit që ka ekspozimi ndërkombëtar në karrierën e tyre. Sipas të dhënave nga “Transfermarkt”, disa futbollistë shqiptarë kanë përjetuar një rritje të ndjeshme të vlerës në treg menjëherë pas prezantimit me fanellën kuqezi, duke u pozicionuar mes emrave më të vlerësuar në historinë e Kombëtares në këtë aspekt.

  • Marash Kumbulla kryeson këtë listë. Pas debutimit të tij në vitin 2019, vlera e tij në treg u rrit menjëherë dhe ndjeshëm. Nga 3 milionë euro para debutimit, mbrojtësi arriti në 10 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 7 milionë eurosh – një nga rritjet më të mëdha të regjistruara për një lojtar shqiptar. Performancat e tij solide dhe transferimi në një kampionat të rëndësishëm europian kanë ndikuar drejtpërdrejt në këtë rritje.
  • Pas tij renditet Kristjan Asllani, i cili gjithashtu përfitoi dukshëm nga debutimi me Kombëtaren në vitin 2022. Mesfushori defensiv kaloi nga 3.5 milionë euro në 10 milionë euro, duke rritur vlerën e tij me 6.5 milionë euro. Ngjitja e tij lidhet ngushtë me paraqitjet në Serie A dhe transferimin te Interi, një hap kyç në karrierën e tij.
  • Një tjetër emër i rëndësishëm është Nedim Bajrami, i cili shënoi një rritje prej 4 milionë eurosh pas debutimit në vitin 2021. Nga 6 milionë euro, ai arriti në 10 milionë, duke qenë një nga lojtarët më të preferuar në skuadër nën drejtimin e trajnerit Sylvinho.
  • Në listë përfshihet edhe veterani Elseid Hysaj. Megjithëse debutoi shumë herët, ai arriti të rrisë vlerën e tij nga 900 mijë euro në 2.5 milionë euro, duke regjistruar një rritje prej 1.6 milionë eurosh. Kjo rritje lidhet me kalimin e tij në nivele më të larta të futbollit italian.
  • Arbnor Muja është një nga rastet më të fundit, duke përjetuar një rritje prej 1.5 milionë eurosh pas debutimit në vitin 2023. Nga 2.5 milionë, ai arriti në 4 milionë euro, duke reflektuar potencialin e tij në rritje, pavarësisht se prej vitesh nuk ka luajtur më me fanellën e Shqipërisë.
  • Në këtë listë gjenden edhe emra të tjerë si Thomas Strakosha me një rritje prej 1.1 milionë eurosh, si dhe Azdren Llullaku dhe Arbër Hoxha me nga 800 mijë euro rritje secili. Gjithashtu, Jahmir Hyka dhe Milot Rashica (i cili tashmë luan për Kosovën) mbyllin këtë renditje me rritje prej 750 mijë eurosh. Kjo listë përfshin vetëm 10 lojtarë që kanë shënuar rritje.

Ulja e vlerës pas debutimit

Jo të gjithë futbollistët përfitojnë nga debutimi me Kombëtaren. Për disa lojtarë, ky moment nuk është shoqëruar me rritje në treg, por përkundrazi, me një rënie të vlerës. Sipas të dhënave të “Transfermarkt”, ekziston edhe një listë e lojtarëve shqiptarë që kanë pësuar uljen më të madhe të vlerës pas ndeshjes së parë me fanellën kuqezi.

  • Rasti më i theksuar është ai i Ivan Balliu, i cili pas debutimit në vitin 2017, pa një rënie të menjëhershme të vlerës nga 2 milionë euro në 1 milionë euro, duke humbur plot 1 milion euro. Kjo rënie e konsiderueshme lidhet më shumë me ecurinë e tij te klubi sesa me paraqitjet në Kombëtare.
  • Pas tij vjen Blerim Rrustemi, një rast më i veçantë, pasi vlera e tij prej 400 mijë eurosh para debutimit në vitin 2007 nuk u reflektua më pas në treg, duke shkuar praktikisht në zero në të dhënat e mëvonshme, çka përbën një nga rëniet më drastike në këtë listë.
  • Në vendin e tretë renditet Parid Xhihani, i cili nga 800 mijë euro para debutimit në vitin 2010, zbriti në 450 mijë euro, duke humbur 350 mijë euro në vlerë.
  • Një trend të ngjashëm vihet re edhe te Anis Mehmeti, i cili pas debutimit në vitin 2023, pa një rënie prej 300 mijë eurosh, nga 1.5 milionë në 1.2 milionë euro.
  • Lista vijon me Vullnet Bashën dhe Berat Gjimshitin, të cilët kanë pësuar një rënie prej 250 mijë eurosh secili. Në rastin e Gjimshitit, kjo rënie rezultoi të ishte më tepër momentale, pasi më vonë ai u rikthye dhe u rrit ndjeshëm në vlerë, duke u bërë një nga shtyllat e mbrojtjes së Kombëtares.
  • Ndërkohë, Igli Allmuça ka humbur 225 mijë euro nga vlera e tij, ndërsa Burim Kukeli dhe Valdet Rama kanë pësuar një rënie prej 200 mijë eurosh secili pas debutimit.
  • Listën e 10 lojtarëve të përmendur për ulje të vlerës, e mbyll Agon Mehmeti, i cili gjithashtu regjistron një ulje prej 200 mijë eurosh, nga 900 mijë në 700 mijë euro.

Kjo panoramë tregon se debutimi me Kombëtaren nuk është gjithmonë një garanci për rritje në treg. Ndryshe nga rastet e suksesit, këta lojtarë nuk arritën ta shfrytëzojnë maksimalisht ekspozimin ndërkombëtar për të rritur vlerën e tyre. Megjithatë, në disa raste, si ai i Gjimshitit, rënia rezultoi të jetë vetëm e përkohshme.

ERJON ALLARAJ – PANORAMASPORT.AL

Scroll to Top