E pabesueshme! Vrasja e futbollistit 20-vjeçar, çfarë deklaroi klubi: Bashkë me stafin u strehuan në shkurre
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur ditën e djeshme në Ganë, ku futbollisti Dominik Frimpong u plagos. Një grup grabitësish sulmuan autobusin e ekipit të Berekum Çelsit pas një ndeshjeje në transfertë kundër Samarteks. Sulmuesi 20-vjeçar, pjesë e elitës së futbollit ganez, humbi jetën sot si pasojë e plagëve të marra nga të shtënat me armë.
Fillimisht, Frimpong mbeti i plagosur. Sot u raportua për vdekjen e tij, pasi gjendja e tij shëndetësore ishte shumë e rëndë.
Para se futbollisti të ndërronte jetë, klubi lëshoi një deklaratë:
“Gjatë kthimit për në Berekum nga Samreboi, autobusi i ekipit tonë u sulmua nga një grup grabitësish të armatosur, të cilët bllokuan rrugën për të na penguar kalimin. Persona të maskuar, të cilët mbanin armë, filluan të qëllonin drejt autobusit tonë, ndërsa shoferi përpiqej të kthehej mbrapsht. Lojtarët dhe stafi u detyruan të iknin në shkurret aty pranë për t’u fshehur. Fatkeqësisht, një nga lojtarët tanë është plagosur rëndë dhe po merr ndihmë mjekësore në një spital aty pranë, duke pritur të transferohet në spitalin rajonal. Jemi mirënjohës ndaj ekipit të patrullave të policisë për reagimin e tyre të shpejtë, gazetarëve sportivë që shpejt e shpërndanë informacionin, qytetit të Ashirusit, i cili ofroi strehim të përkohshëm për lojtarët tanë dhe zyrtarëve të Bibiani Gold Stars, të cilët kanë ofruar mbështetje të jashtëzakonshme. Jemi gjithashtu mirënjohës ndaj të gjithë atyre që na uruan mirë dhe së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, Presidentit të Shoqatës së Futbollit të Ganës për reagimin e tij të shpejtë në këtë moment të vështirë. Do ta informojmë publikun e gjerë me zhvillimet e mëtejshme dhe i urojmë lojtarit tonë shërim të shpejtë nga Zoti.”
