Lamallari në Himarë: Në 4 muaj policia shpëtoi mbi 200 turistë në zonat malore të Çikës, Gjipesë dhe jugut të vendit
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilluan një inspektim në Himarë për të ndjekur nga afër zbatimin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë sezonit turistik veror.
Lamallari theksoi se në 4 muajt e fundit Policia e Shtetit ka ndërhyrë në 67 raste për t’u ardhur në ndihmë turistëve, duke shpëtuar mbi 200 vizitorë, kryesisht në zonat malore të Çikës, Gjipesë dhe jugut të vendit.
Ministri bëri me dije gjithashtu se vetëm gjatë katër muajve të fundit janë kontrolluar 4 220 mjete lundruese, 21% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Gjatë takimit me Kryetarin e Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, Ministri Lamallari theksoi se siguria është një nga elementët kryesorë që garanton zhvillimin e turizmit dhe se bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe pushtetit vendor është vendimtar për ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët dhe turistët.
“Janë sanksionuar 166 raste të shkeljeve në det, me bllokim mjetesh dhe masa administrative ndaj drejtuesve që kanë rrezikuar sigurinë e pushuesve ose kanë shkelur rregullat e lundrimit”, deklaroi Lamallari.
Nga ana tjetër, Hita, prezantoi një nga risitë më të rëndësishme të këtij sezoni turistik.
“Për herë të parë këtë vit, kontrolli kufitar detar kryhet drejtpërdrejt në det. Jahtet dhe mjetet lundruese nuk kanë më nevojë të paraqiten në pikat e kalimit kufitar, pasi Policia Kufitare shkon pranë tyre dhe kryen verifikimet në sistemin TIMS. Ky është një zhvillim i rëndësishëm që rrit cilësinë e shërbimit dhe lehtëson lëvizjen e mjeteve lundruese”, u shpreh Hita.
Kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, vlerësoi bashkëpunimin me Policinë e Shtetit, duke theksuar se ai ka qenë një faktor kyç për mbarëvajtjen e sezonit turistik.
“Falë bashkëpunimit të ngushtë me Policinë e Shtetit kemi arritur të kemi një sezon të sigurt turistik. Policia ka qenë një mbështetje e vazhdueshme, si në menaxhimin e trafikut dhe rendit publik, ashtu edhe në operacionet e shpëtimit të turistëve dhe në administrimin e problematikave që lidhen me zhurmat dhe qarkullimin gjatë sezonit veror”, tha Tavo.
